Rehabilitimi i thellë i paralajmëruar i njësive A3 dhe A5 të Kosovës A, me shumë të panjohura

Edhe pse tashmë ka kaluar saktësisht një gjysmë viti që nga shpallja e tenderit për rehabilitimin e thellë të dy njësive të termocentralit Kosova A, më saktësisht të njësive A3 dhe A5, opinioni nuk di asgjë se çfarë është duke ndodhur me këtë tender.

Buletini Ekonomik

Disa herë gjatë këtyre muajve të 2025-tës, nga zyrtarë dhe krerë të institucioneve kompetente të zhvillimeve energjetike në vend, është paralajmëruar nisja e investimeve më serioze për rehabilitim më të thellë të termocentraleve të KEK-ut (të Kosovës B dhe të Kosova A).

Reklama e sponzorizuar

Ministrja në detyrë e Ekonomisë , Artane Rizvanolli, në shumë raste, madje në fillim të prillit në një emision të televizionit publik, publikisht ka deklaruar se do të investohet, përpos në rehabilitimin e Kosovës B, investim tjetër i madh do të bëhet edhe në rehabilitimin e thellë të dy njësive të termocentralit Kosova A, më saktësisht të njësive A3 dhe A5.

Sipas paralajmërimit të ministres Rizvanolli, rehabilitimi i thellë i këtyre dy blloqeve të Kosovës A do të rritë kapacitetin e tyre nga 120 megavatë-orë sa e kanë aktualisht, përafërsisht në 215 megavatë-orë. Ose në A3 dhe në A5-sh, kapaciteti pas rehabilitimit do të rritet diku rreth 170 megavatë-orë 92 herë nga 85 megavatë. Kjo do të thotë, siç kishte deklaruar Rizvanolli, se kur të përfundojnë këto investime, blloqet A3 dhe A5 do të kenë kapacitete rreth 210 megavatësh, që i bie të prodhojnë gati sa njëri bllok i Kosovës B aktualisht.

Ministrja në fillim të prillit thuaja e shpalli publikisht si fakt të kryer rehabilitimin e thellë të dy blloqeve të termocentraleve Kosova A, duke njoftuar se tenderi për rehabilitimin e këtyre njësive është shpalluar që në janar dhe tashmë janë duke u pritur ofertat për parakualifikim. Por, pas këtij paralajmërimi publik, çështja e rehabilitimit të thellë të dy njësive të termocentraleve të Kosovës A (A3 dhe A5), u hesht edhe në institucionet aktuale në detyrë, edhe nga zyrtarët e KEK-ut, ndërsa ministrja Rizvanolli më nuk u mor, së paku publikisht, me këtë investim të paralajmëruar.

Dhe, edhe pse tashmë ka kaluar saktësisht një gjysmë viti që nga shpallja e tenderit për rehabilitim, opinioni nuk di asgjë se çfarë është duke ndodhur me këtë tender. Nuk di në ç’fazë kanë arrirur procedurat tenderuese dhe sa ka interesim të punëkryesve potencial nga kompani dhe kozorciume ndërkombëtare për të konkuruar për të fituar punët rehabilituese në blloqet A3 dhe A5. Praktikisht, nuk dihet asgjë rreth këtij investimi të paralajmëruar, pasi që rehabilitimi i thellë i paralajmëruar nga ministrja Rizvanolli është i mbuluar me shumë të panjohura.

Nuk dihet, pra, kur do të fillojë ky rehabilitim, nuk dihet a ka ndonjë fitues të tenderit të shpallur që në janar dhe nuk dihet as për koston e këtyre punëve, sikundër që është e panjohur edhe se si do të sigurohen mjetet e nevojshme për rehabilitimin e thellë të A3-shit dhe A5-shit të Kosovës A.

Me fjalë të tjera, nuk dihet a do të fillojë ndonjëherë fare realizimi i këtyre investimeve, apo edhe ky paralajmë rim do të mbetet vetëm një vizion i mirë i ministres, ndoshta i ‘ëndrruar” për t’u kryer ndonjëherë, siç kanë mbetur tash edhe një numër i madh projektesh rehabilituese dhe sosh të ndërtimit të ri të kapaciteteve energjetike në Kosovë.

Duhet thënë se sado që tashmë janë bërë disa muaj qëkur kanë filluar punët në rehabilitimin e bllokut B2 të termocentraleve Kosova B, opinioni në Kosovë, nuk është njoftuar edhe aq për zhvillimet e punëve rreth riparimit më të detajuar të këtij blloku. Dihet vetë m se para disa muajsh kanë nisur punimet në termocentralin Kosova B për riparimin dhe modernizimin e njësisë B2, investim në vlerë prej 56.5 milionë euro nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Për herë të parë ka filluar riparimi dhe modernizimi në Termocentralet ekzistuese të KEK-ut dhe po bëhet një rritje e kapacitetit për njësi, një prodhim vjetor shtesë prej mbi 600 GËh, si dhe një operim më i sigurt dhe më efikas i njësive të TC Kosova B. Realizimi i projekteve të rehabilitimit bazohet në studimin e fizibilitetit për TC “Kosova B. Ky rehabilitim do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave mjedisore, duke reduktuar ndotjen e ajrit dhe duke siguruar përputhjen me standardet e Direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për emisionet e pluhurit dhe gazrave”, thuhej në njoftimin e Qevrisë në dorëheqje, me rastin e nisjes së punëve rreth këtij projekti.

Ndërsa ministrja Rizvanolli kishte deklaruar me këtë rast se “kur të përfundojnë të gjitha punimet për rehabilitimin e Termocentralit “Kosova B”, “jetëgjatësia e tij do të shtohet edhe për 20 vjet, ndotja nga pluhuri dhe oksidet e azotit do të ulen për 60%, kurse remontet kapitale do të nevojiten që të bëhen një herë në 10 vjet, në vend se çdo pesë vjet”

Kjo do të thotë se siguria e furnizimit do të përmirësohet dukshëm për 20 vjet e ardhshëm, importi do të ulët për së paku 23 milionë euro, ndërkaq eksporti do të rritet për së paku 20 milionë në vit”, kishte shtuar ajo.

Është thënë po ashtu se njësia B2 do të jetë e gatshme për operim në fillim të muajit tetor. Tani, mbetet të shihet se a do të përmbushen parashikimet e zyrtarëve për t’i kryer të gjitha punët e modernizimit të B2-shit deri në tetorin që po ofrohet. /Buletini Ekonomik/