Ekspertët: Jostabiliteti politik mund t’i frikësojë investitorët e huaj

Tërheqja e investimeve të huaja direkte po konsiderohet edhe më tej sfidë për Kosovën. Njohës të ekonomisë thonë se jostabiliteti politik mund t’i frikësojë investitorët e huaj që kapitalin e tyre ta vendosin në Kosovë. E nga Ministria e Industrisë përmendin përparësitë që ka Kosova në të bërit biznes.

Kosova po vlerësohet si vend jo i besueshëm për investitorët e huaj, për shkak të jostabilitetit politik e mungesës së institucioneve të reja.

Reklama e sponzorizuar

Njohës të ekonomisë thonë se pasojat e bllokadës së institucioneve mund të ndikojnë që investitorët e huaj mos ta vendosin kapitalin e tyre në Kosovë, por në shtetet e tjera të rajonit.

Të dhënat e fundit të siguruara nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se në janar të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ishte 78.6 milionë euro, në shkurt 61.2 milionë, në mars 57.8 milionë ndërsa në prill 79.2 milionë euro.

Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë thotë se “Kosova aktualisht ka një imazh jo të mirë në arenën ndërkombëtare duke marrë për bazë edhe konfliktin në veri njëkohësisht edhe mosformimin e institucioneve”.

Nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë se për shkak të kushteve jo të favorshme për të bërë biznes, edhe një pjesë e kompanive kosovare kanë vendosur të shkojnë në shtetet e tjera për të investuar.

“Këto dy vitet e fundit bizneset e Kosovës në vend se të investojnë në Kosovë janë detyruar me investu në Shqipëri e Maqedoni e Veriut për shkak të situatës së krijuar në vendin tonë”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Mirëpo nga Ministria e Industrisë i kanë thënë RTK-së se momentalisht ka një trend të qëndrueshëm të investimeve. Nga MINT kanë thënë se bashkë me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve kanë ofruar një gamë shërbimesh dhe informacionesh për investitorët.

Këto shërbime përfshijnë prezantimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë dhe krahasimin e përparësive që ofron vendi ynë në raport me vendet e rajonit si: sistemi fiskal dhe tatimor, përmirësimet e vazhdueshme të renditjes së Kosovës në raportet ndërkombëtare në krahasim me vendet e rajonit, veçanërisht në fushën e luftimit të korrupsionit dhe në shumë indikatorë ekonomikë, si promovimi i investimeve, qasja në financa, politika tatimore, tregtare, bujqësore, si dhe politikat për turizmin, energjinë, inovacionin dhe digjitalizimin.

Shtetet të cilat prijnë për investimet në Kosovë janë Gjermania, Zvicra e SHBA-ja