Në gjysmën e 2025-tës, Kosova ka hyrë praktikisht pa asnjë premtim të përmbushur për energji të rinovueshme, që nënkupton se Kosova as më 2025 nuk do të ketë asnjë kapacitet të ri të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të thotë huqje shqetësuese në përmbushjen e objektivave për të ndërtuar kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, qoftë edhe të kapaciteteve konkrete të premtuara, qoftë të atyre si vizione dhe si ide, të parashikuara të realizohen edhe me afate në dokumentet zhvillimore.
Mehmet GJATA
Qëkur ka nisur qeverisjen Qeveria Kurti, dhe qëkur në krye të ministrisë më kompetente për vendimmarrje në zhvillimet energjetike në Kosovë është ish-ministrja Artane Rizvanolli, nuk kanë rreshtur premtimet për të zbatuar sa më shpejtë tranzicionin energjetik të vendit, për të ndërtuar impiante të energjisë së rinovueshme, qoftë sosh nga burime nga era, qoftë sosh solare.
Vizionet e mira dhe mbresëlënëse rreth zhvillimit të energjisë së gjelbër, u shpërfaqën në shumë raste, sidomos pas miratimit të Strategjisë së Zhvillimit Energjetik të Kosovës 2022-2031. Në këtë periudhë, në shumë raste të promovimit të energjisë së ripërtëritshme, u apostrofuan numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe u përcaktuan afate, duke përmendur vite konkrete për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme. Ndërsa, dekarbonizimi i Kosovës si objektiv strategjik, nëpërmjet vizioneve, synimeve dhe premtimeve, u dominua edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031.
Në çdo rast, në takime të shumta të promovimit të Strategjisë, por edhe në takime të tjera të brendshme dhe të jashtme, ministrja Rizvanolli deklarohej (gjatë tërë vitit 2021 dhe 2022) se Kosova në tri vjetët e ardhshme do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.
“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshme do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, deklaronte Rizvanolli.
Por, Kosova, deri tash, kur po ritrajtohet mediatikisht nga Buletini Ekonomik kjo temë, praktikisht ka bërë fare pak në zhvillimin e sektorit të energjisë së gjelbër, asaj të rinovueshmes pra. Në gjysmën e 2025-tës, Kosova ka hyrë praktikisht pa asnjë premtim të përmbushur për energji të rinovueshme, që nënkupton se Kosova as më 2025 nuk do të ketë asnjë kapacitet të ri të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të thotë huqje shqetësuese në përmbushjen e objektivave për të ndërtuar kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, qoftë edhe të kapaciteteve konkrete të premtuara, qoftë të atyre si vizione dhe si ide, të parashikuara të realizohen edhe me afate në dokumentet zhvillimore.
Tashmë është e ditur heshtja zyrtare për zvarritjet e pafundshme të ndërtimit të impiantit solar 100 megavatësh nga ankandi i parë për ndërtimin e një kapaciteti solar në komunën e Rahovecit dhe për fatin e këtij projekti aq të proklamuar nga autoritetet për disa vite me radhë, ka mbetur me gjasë vetëm si vision projekti i ndërtimit të një kapaciteteti tjetër solar po me kapacitet 100 megavatësh në tokat djerrina të KEK-ut, për të cilin po kështu u fol në shumë raste publikisht se do të ndërtohet shumë shpejtë.
Është harruar fare tashmë premtimi publik i bërë në fillim të 2024-tës (janar 2024) i zonjës Rizvanolli se “ndër tri prioritet e dikasterit që drejton për vitin 2024, do të jetë “edhe ndërtimi i 150 megavatë kapacitete të energjisë me erë përmes ankandit”. Sipas Rizvanollit, një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë më 2024, do të jetë ndërtimi i kapaciteteve të erës prej 150 megavatë për gjenerim të energjisë elektrike.
“Teksa kemi filluar vitin 2024, Ministria e Ekonomisë ka vendosur top tri prioritetet e punës tonë, të cilat përfshijnë: Ndërtimin e kapaciteteve të erës prej 150 megavatë për gjenerim të energjisë elektrike përmes ankandit, për të siguruar konkurrencë e çmime të favorshme; Hyrjen në fuqi të programit kompakt me MCC për ndërtimin e baterive, të cilat mundësojnë integrimin në rrjet të kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme të cilat po i ndërtojmë…”, kishte shkruar ndër të tjera Rizvanolli, në janar të 2024-tës.
Mirë që më në fund do të realizohet Fondi i Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), e cila në kuadër të programit Kompakt synon instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë nëpërmjet baterive me kapacitet prej 170 MË (apo 340 MËh), me një vlerë totale prej 180 milionë dollarësh. Por, edhe gjatë vitit të kaluar, pas deklarimit publik të ministres Rizvanolli, edhe gjatë shtatë muajve të 2025-tës, është ‘harruar” tërësisht ndërtimi i kapaciteteve të erës prej 150 megavatë për gjenerim të energjisë elektrike përmes ankandit.
Opinioni kosovar, edhe pse kanë kaluar një vjet e gjysmë nga deklarimi publik i zonjës Rizvanolli, nuk është i njoftuar për asnjë veprim të vetëm rreth këtij ankandi.
Nuk dihet, pokështu, as për fatin e vendimit për miratimin e nismës për negocimin e Marrëveshjes Financiare të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”, i miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 24 janar 2024. Ky projekt, inicimi i të cilit si ide ishte bërë që para disa vitesh, ka për qëllim ngritjen e kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme në Kosovë. Ndërsa, kostoja totale e projektit është vlerësuar 107 milionë e 200 mijë euro.
Tani po shihet se këto parashikime, gjithsesi, ishin synime ambicioze dhe thuaja të parealizueshme, për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht dhe të papërvojë në ngritjen e termocentraleve në bazë të energjisë së ripërtëritshme (të erës dhe sidomos të asaj solare). Vitet ecën shpejtë dhe afatet për kapacitete të reja të energjisë elektrike të gjelbër, nuk janë “kurrkund”, madje as që kanë nisur ndonjëri prej tyre. Kanë dështuar së përmbushuri këto parashikime, sepse tani kur jemi futur në gjysmën e 2025-tës, ende nuk ka nisur së ndërtuari asnjë kapacitet energjetik i premtuar solar, e as me erë. Kjo është gjendja aktuale në sektorin e energjisë së rinovueshme në Kosovë, ndërkohë që në këto vite, shtetet e rajonit, por edhe Shqipëria, po ngulmojnë vrullshëm në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë alternative. /Buletini Ekonomik/









