Rehabilitimi i turbinave te Kosova B dhe modernizimi i A3-shit, alternativa të kushtëzuara dhe të domosdoshme

Alternativë e mundshme dhe e vetme për të pasur më shumë energji elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës dhe për ta stabilizuar paksa gjendjen elektroenergjetike në vend, tani kur Kosova po vonohet tepër shumë dhe pakuptueshëm edhe në përmbushjen e vizioneve të ndërtimit të kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme, ka mbetur rindërtimi dhe rekonstruktimi më i detajuar i termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, punë këto që tashmë në disa njësi kanë filluar, apo së shpejti do të fillojnë.

Mehmet GJATA

Kosova aktualisht nuk ka shumë alternativa të zhvillimit në sektorin elektroenergjetik. Kosova ka ardhur në këtë situatë për shkak se zyrtarët edhe autoritetet e saj vendimmarrëse, të gjithë pa përjashtim, që nga paslufta nuk u treguan fare parashikues e largpamës sa i përket nevojës së ndërtimit të domosdoshëm të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike. Thjeshtë, qoftë nga padituria e përgjegjësve, qoftë nga mungesa e vullnetit politik në këtë periudhë, nuk u nis dhe as nuk u finalizua asnjë projekt i prodhimit të rrymës, pos atij në bazë të erës që u finalizua me para të kompanive të jashtme në Shalë të Bajgorës. Nuk nisi dhe nuk përmbylli asnjë kapacitet elektroenergjetik të ri as Qeveria Kurti, me gjithë premtimet e shumta, vizionet goxha shpresëdhënëse dhe fjalët e mira për projekte të reja të energjisë së rinovueshme.

Të gjitha qeveritë e deritashme të Republikës, pa përjashtim, u treguan të pazonja dhe sterile rreth ndërtimit të një kapaciteti të ri elektroenergjetik, sidomos në bazë të qymyrit, për çka Kosova ka pasur dhe vazhdon të ketë kushte ideale dhe optimale – qymyr në rezerva të pashterrshme (sipas vlerësimeve të stërpërsëritura tash e sa vjet, 13-14 miliardë rezerva të qymyrit ka Kosova), dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, që e bën shumë më të lehtë dhe më të lirë eksploatimin e tij.

Reklama e sponzorizuar

Për dallim nga shumë shtete të tjera, që pas krizës së madhe të theksueshme globale energjetike, që iu rikthyen qymyrit “të anatemuar” dhe të shpallur “të ndaluar”, Kosova vazhdoi të jetë shumë e “dëgjueshme”, e pavendosur, me shumë hezitime për t’ia “kthyer shpinën” qymyrit tonë, dhe për të vazhduar të mos ketë energji të bollshme për konsumin e vet, sidomos në periudhat dimërore. Thënë më drejtpërdrejt, zyrtarët dhe autoritetet e vendit tonë, sikur mezi kanë pritur në këto vite ndonjë ndalesë, rezolutë restriktive dhe vendime të asociacioneve ndërkombëtare antiqymyr, ndërkohë që shtetet e botës që i kanë paraprirë fushatave kundër thëngjillit, ishin të parat që pas krizës energjetike iu rikthyen këtij resursi. Por, tani kur Kosova po vonohet tepër shumë dhe pakuptueshëm e pashpjegueshëm edhe në përmbushjen e vizioneve të ndërtimit të kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme (edhe nga era edhe sosh solare), nuk kanë mbetur edhe shumë alternativa që do të premtonin sigurim më të shpejtë të energjisë së munguar në vend.

Në fakt, alternativë e mundshme dhe e vetme për të pasur më shumë energji elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës dhe për ta stabilizuar paksa gjendjen elektroenergjetike në vend, ka mbetur rindërtimi dhe rekonstruktimi më i detajuar i termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, punë këto që tashmë në disa njësi kanë filluar, apo së shpejti do të fillojnë.

Tashmë, kur, praktikisht nuk mbetën alternativa për të siguruar sasi të reja të energjisë elektrike, Korporata Energjetike e Kosovës e vlerëson modernizimin e termocentralit “Kosova B” – që është në zbatim, si “një prej projekteve më të rëndësishme strategjike për sistemin energjetik të Kosovës”. Rekonstruktimi i detajuar i turbinave të Kosovës B do ta ketë koston totale prej mbi 56 milion euro. Sipas KEK-ut, që ka shpërndarë një video për punën që po bëhet në rehabilitimin e modernizimin e turbinës në njësinë B2 të Termocentralit ”Kosova B”, ky investim ka një përfitim të drejtpërdrejtë për sistemin energjetik të Kosovës.

Ky projekt po zbatohet nga kompania prestigjioze General Electric, në partneritet të ngushtë me ekspertët dhe stafin profesionist të TCB-së, duke sjellë efikasitet të lartë dhe rritje të ndjeshme të kapaciteteve prodhuese. Rehabilitimi pritet të rrisë prodhimin nga 14 deri në 17 Më/h për njësi, ose 672 deri në 816 Më në ditë (24 orë) për të dyja njësitë prodhuese – B1 dhe B2”, thotë KEK-u.

Sipas tyre, ky vetë-implementim sjell efikasitet dhe ulje të ndjeshme të kostove. Siç dihet, marrëveshja KEK-General Elektric për ripërtëritjen e turbinave të termocentralit Kosova B, është nënshkruar në fillim të prillit 2023 (saktësisht më 7 prill 2023). Ripërtëritja, ose modernizimi i turbinave, sipas shumë inxhinierëve të KEK-ut, njohësve të rrethanave elektroenergjetike të vendit dhe ekspertëve, do të thotë zgjatje e viteve të punës së termocentraleve të stërvjetruara kosovare, më shumë energji dhe do të sigurojë që termocentralet tona të funksionojnë me efikasitet optimal, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më efektive. Sipas inxhinierëve të KEK-ut, rinovimi i turbinave të Kosovës B do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 megavatë orë për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient. Kurse kostoja e gjithë punës rreth rinovimit të turbinave të dy blloqeve të Kosovës B (B1 dhe B2) do të jetë 56.2 milionë euro, dhe këto para që nuk janë të pakta, do t’i sigurojë Kosova, por do të shpaguhen gjithsesi, meqenëse ripërtëritja e modernizimi i turbinave do të thotë zgjatje e viteve të punës së termocentraleve të stërvjetruara kosovare, më shumë energji, dhe prodhim më konstant pa frikën për defekte të pritshme të shpeshta teknike. Sipas kontratës, punimet për modernizimin e turbinës B2 do të kushtojnë 26.1 milionë. Ndërsa punët në njësinë B1 do të kushtojnë mbi 30.3 milionë euro.

Në njoftimin për ‘dhënie të kontratës’, siç është njoftuar në medie, renovimi i turbinmës në bllokun B2 ka filluar që në fillim të prillit 2025 dhe të gjitha punët është paraparë të finalizohen deri në fund të tetorit, në mënyrë që B2-shi të rikthehet në prodhim pas 6 muajsh. Dhe, posa të rikthehet B2-shi në operim, do të nisë modernizimi i njëjtë i bllokut B1, i cili, pokështu do të zgjasë rreth 6 muaj.

Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani evropiane që në atë kohë quhej “STEIN INDUSTRIE”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane, p.sh: Turbogjeneratori (Turbina) nga kompania “MAN” që më pas është transferuar në ALSTOM GmBH. – Gjeneratori elektrik nga kompania ALSTOM POËER SERVICE nga Franca.– Sistemi i kontrollit dhe komandës (DCS – P320) është nga kompania ALSTOM POËER SERVICE nga Franca.

Dy operatorët ekonomik, General Elektrik Poëer dhe Alstom Poëer Services, edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura, pasi General Elektrik Poëer ka në pronësi kompaninë Alstom Poëer Services. Tani është bërë i mundshëm edhe rindërtimi i bllokut A3 të termocentraleve Kosova A (pas vendimit pozitiv nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për Projektin e rehabilitimit dhe modernizimit të Njësisë A3 të Termocentralit Kosova A), projekt ky që parashihet të ketë koston diku rreth 137 milionë euro.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tashmë (më 17 korrik 2025) ka bërë hapjen e ofertave zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomikë në fazën parakualifikuese për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A”. Sipas njoftimeve nga Ministria e Ekonomisë, për këtë tender kanë aplikuar pesë kompani/konsorciume vendore e ndërkombëtare dhe ato janë: “SBB Energy S.A; Intering SH.PK, EthosEnergy”, “LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S”, “GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED”, “KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD, DYPNF Co., Ltd, BHI CO, Ltd” dhe “HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited”.

Ish-ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte thënë me këtë rast se “me këtë investim, 137 milionë euro nga mjetet vetanake të KEK-ut, blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera, do të prodhojë më shumë: 215 megavat bruto, nga vetëm 130-140 sa ka aktualisht, do të punojë më gjatë: nga 5,400 orë operimi në vit, në 7,700 orë operimi në vit, do të djegë më pak qymyr: nga 1,6 tonë thëngjill aktualisht, në 1,15 tonë dhe do të ndotë më pak: duke përmbushur standardet mjedisore të BE-së”. Këto renovime, sado të vonuara ishin më se të domosdoshme në këto kohë kur Kosovës i mungojnë ndjeshëm kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike (edhe ato në bazë të qymyrit, edhe ato të energjisë së rinovueshme), kur kapacitet ekzistuese në bazë të thëngjillit të cilin Kosova e ka me bollëk dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, janë të stërvjetruara dhe kur në njëfarë mënyre, prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri, po “rehabilitohet” edhe në Kosovë.

Kosova u hamend mbi 20 vjet për ta ndërtuar një termocentral të ri në bazë të thëngjillit dhe nuk qe në gjendje ta ndërtojë këtë termocentral në vitet kur ende qymyri nuk ishte shpallur “tabu’ dhe nuk ishte përjashtuar si burim energjetik. Tani, po shihet se jemi vonuar, dhe pasojat e kësaj vonese janë evidente. Prandaj, riparimi dhe modernizimi i kapaciteteteve ekzistuese të prodhimit të rrymës, që nuk mund të vlerësohen si ndërtime të reja, kanë mbetur alternativë e domosdoshme për Kosovën, për të siguruar edhe 15-20 vjet një sasi goxha të madhe të rrymës për konsumin e shtuar vetanak.

Shkurt, kushdo, si të dojë ta vlerësojë, rinovimi i turbinave të Kosovës B, dhe i bllokut A3 të termocentraleve Kosova A, ishte praktikisht i kushtëzuar dhe i domosdoshëm. Ndërkohë që Kosova, tani për tani, nuk kishte zgjidhje tjetër më të mirë. Sepse, po vonohen shumë nisja e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së rinovueshme, të cilat edhe po të ishin sot të gatshme, nuk do të mjaftonin as përafërsisht për përmbushjen e nevojave të konsumit të Kosovës. /Buletini Ekonomik/