ZRRE nuk zbaton vendimin e AIP, mohon qasjen në kontratat e shitblerjes së energjisë mes KESCO-s dhe NOA-s

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk e ka zbatuar një vendim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), sipas të cilit ZRRE obligohej që t’i jepte qasje gazetarëve të Buletinit, në kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike për vitin 2024.

Në vendimin e AIP, ZRRE obligohet që të lejojë qasje në të gjitha kontratat që Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka realizuar gjatë vitit 2024 për import të energjisë elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Vendimi e obligonte këtë institucion që këto dokumente për mediumin duhet t’i ofronte në një afat prej 7 ditësh.

Ky afat nuk është respektuar nga ZRRE, duke e mohuar qasjen për herë të tretë radhazi, prej kur është bërë kërkesa fillestare për qasje në këto dokumente.

Sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, kur një institucion nuk zbaton vendimet e AIP, mund të dënohet me gjobë.

Buletini Ekonomik në një seri të shkrimeve lidhur me importin e energjisë elektrike gjatë vitit 2024, ka publikuar të dhëna sa i përket cmimit për bartje të energjisë elektrike, por mungojnë të dhënat për cmimin e rrymës. Vetëm për bartje të energjisë, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro sjellja e një megavati rrymë në Kosovë përmes kompanisë Noa Energy Trade.

Mirëpo ende nuk dihet cmimi që kjo kompani ka aplikuar për produktin, përkatësisht energjinë elektrike.

Buletini EKonomik do të vazhdojë të ndjekë hapat tjerë ligjore për të siguruar qasje në këto të dhëna.

Përmes NOA-s, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë