Dyshohet për ndërhyrje: AIP brenda muajit nxjerr dy vendime kontradiktore ndaj ZRRE-së për kontratat mes KESCO-s dhe NOA-s

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka nxjerr dy vendime kontradiktore brenda muajit korrik, në rastin e kontratave mes KESCO-s dhe kompanisë NOA, në të cilat Buletini kishte kërkuar qasje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Në vendimin e parë me datën 15 korrik 2025, AIP i dha mediumit të drejtë në të gjitha pikat e kërkesës, duke e obliguar ZRRE-në që të ofrojë qasje të plotë në kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike për vitin 2024, mes KESCO-s dhe kompanisë NOA.

Por vetëm dy javë më vonë, me datën 30 korrik, kjo agjenci nxjerri një vendim të ri, tash duke i dhënë të drejtë ZRRE-së e cila kishte kërkuar që të kufizohej qasja ndaj mediumit në këto kontrata me arsyetimin se mund “të prishën hetimet”.

Reklama e sponzorizuar

Në vendimin e dytë me 30 korrik, AIP, në vend të gjobës për ZRRE per moslejim të qasjes brenda afatit 7-ditor, tash e mbyllë krejtesisht rastin dhe i jep të drejtë ZRRE-së. Dy vendime brenda muajit, njeri në favor të mediumit dhe një tjetër në favor të ZRRE.

Por cka ndikoj që AIP ta ndryshojë “mendjen”?

Mes datave 15 korrik dhe 30 korrik, sic thuhet në vendimin e dytë, drejtuesit e ZRRE-së i kishin shkuar në një takim drejtuesve të AIP, pas te cilit AIP “u bind” që duhet ta ndryshojë vendimin. Si arsye përmendet, se nëse publikohet përmbajtja e kontratave, “prishën” hetimet e nisura nga ZRRE për blerjet nga importi.

Ndryshe, Buletini Ekonomik në një hulumtim të publikuar në seri, ka gjetur se KESCO ka paguar deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë gjatë vitit 2024. Por ende nuk dihet cmimi i rrymës dhe nëse ishte në harmoni me cmimin në bursat ndërkombëtare. Kjo për shkak se ZRRE nuk ka lejuar qasjen në kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike për vitin 2024.