Ish-kandidati i VV-së për deputet, Mentor Hyseni emërohet në krye të ATK-së

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se Mentor Hyseni është emëruar drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Hyseni kishte qenë kandidat i VV-së për deputet në vitin 2019.

Sipas njoftimit, procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në “mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kriteret ligjore” për këtë pozitë me rëndësi të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Ministria ka theksuar se ka besim të plotë se Hyseni do të vazhdojë dhe do të avancojë punën e deritanishme, në funksion të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë.

Në vitin 2019, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte njoftuar se Hyseni u anëtarësua në Lëvizjen Vetëvendosje.

Lidhja e tij me VV-në ngrit pyetje mbi pavarësinë politike të pozicionit të tij si drejtues i një institucioni kryesor fiskal në vend, duke marrë parasysh se ATK ka një rol kyç në mbikëqyrjen dhe administrimin e të ardhurave publike që ndikojnë drejtpërdrejt në financimin e politikave qeveritare.

Hyseni, ka një karrierë të gjatë në financat publike, ka punuar në pozita menaxheriale në institucione si Ministria e Drejtësisë dhe Korporata Energjetore e Kosovës, ndërsa ka qenë edhe ekspert i financave publike në Kuvendin e Kosovës.