Në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2024-tës, Indeksi i kostos së ndërtimit në periudhën janar-qershor, është rritur për 4,0 për qind. Ndikimin më të theksuar në këtë rritje e ka energjia me +26,9 për qind (ndikimi i drejtpërdrejtë nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike në prill për mbi 16 për qind) dhe rritja e pagave në sektorin e ndërtimtarisë (+6,7 për qind). Ndjeshëm përtej rritjes së kostos së ndërtimit në Kosovë kanë shkuar çmimet e banesave.
Mehmet GJATA
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ditë më parë ka publikuar të dhënat për indeksin e kostos së ndërtimit për tremujorin e dytë të vitit 2025, të cilat tregojnë për një rritje të çmimeve në sektorin e ndërtimit, si në krahasim me tremujorin paraprak, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas këtyre të dhënave, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, kostoja e ndërtimit është rritur për 0,7 për qind. Ndikimin kryesor në këtë rritje, sipas ASK-së, e kanë energjia +5,5 për qind, pagat: +2,0 për qind, transporti: +1,8%, kostot e tjera: +1,3%, makineritë +1,0% dhe materialet +0,3%.
Me fjalë të tjera, në Kosovë, edhe sipas të dhënave statistikore të Agjencisë së Statistikave (ASK), edhe sipas ndërtimtarëve, është evidente ngritja e kostos së ndërtimit në muajt e deritashëm të 2025-tës. Njëkohësisht ka ngritje të çmimit të banesave, garazheve dhe hapësirave afariste të reja, që tashmë janë të shumta në kuadër të ndërtesave të reja me banesa kolektive. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Indeksi i kostos së ndërtimit është rritur për 4,0 për qind. Ndikimin më të theksuar në këtë rritje e ka energjia me +26,9 për qind (ndikimi i drejtpërdrejtë nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike në prill për mbi 16 për qind).
Mirëpo, sivjet, ndikim jo të vogël në ngritjen e kostos së ndërtimit në Kosovë kanë pasur edhe pagat në sektorin e ndërtimtarisë (+6,7 për qind), që janë pasojë e mungesës së punëtorëve në ndërimtarinë kosovare, sidomos pas liberalizimit të vizave për kosovarët. Në këtë mënyrë, qindra, mbase edhe mijëra punëtorë të kualifikuar, dhe sish pa kualifikime të nevojshme, ikën nga Kosova në kërkim të punës në vende të ndryshme të perëndimit. Ndërsa, ndërtimtarët punëdhënës në Kosovë, kushtimisht janë detyruar të shtojnë ndjeshëm pagat për secilin punëtor (të kualifikuar, mjeshtër dhe për punëtorë të thjeshtë, për t’i pasur ata në punishtet e tyre.
Megjithëkëtë, rritja e theksuar e kostos së energjisë mbetet një ndër faktorët kryesorë që po ndikon ndjeshëm në shtimin e përgjithshëm të kostove në ndërtim, duke reflektuar presione të vazhdueshme në treg.
“Ky indeks paraqet një tregues kyç për zhvillimet ekonomike dhe ndikon drejtpërdrejt në planifikimin e projekteve të infrastrukturës dhe investimeve private në ndërtim”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa, sipas ndërtimtarëve të Kosovës, në rritjen e kostos së ndërtimit kanë ndikuar ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe mungesa e fuqisë punëtore, por edhe ngritja e çmimit të tokave me koncesion, si dhe çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit.
Në bazë të këtyre të dhënave, del se në ngritjen e kostos së ndërtimit në periudhën e trajtuar të sivjetshme, ndikim përcaktues kanë pasur rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e pagave të punëtorëve të ndërtimtarisë dhe të disa shpenzimeve të tjera. Ndërsa, sipas ndërtimtarëve, në rritjen e kostos së ndërtimit kanë ndikuar ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe mungesa e fuqisë punëtore, e shprehur sidomos pas liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
Mungesa e ofertës për krah pune, sipas ndërtimtarëve, nënkupton domosdonë e rritjes së pagave, si parakushti më i rëndësishëm për të gjetur punëtorë në ndërtimtarinë kosovare. Por, ndërtimtarët, ndër indikatorët e me ndikim të pamohueshëm në ngritjen e kostos së ndërtimit në këtë vit, e shohin te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe te çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit.
Në Kosovë, në muajt në vijim, ndikim jo të vogël në koston e ndërtimit do të ketë patjetër çmimi i ngritur i energjisë elektrike për 16,1 për qind dhe futja e tregut të hapur për të gjitha bizneset me qarkullin vjetor mbi 10 milionë euro dhe me mbi 50 punëtorë. Duhet thënë se ndjeshëm përtej rritjes së kostos së ndërtimit në Kosovë, kanë shkuar çmimet e ndërtimeve (banesave dhe hapësirave biznesore). Në Prishtinë dhe në të gjitha qendrat komunale, qoftë ku po ndërtohet më shumë, qoftë ku fluksi i ndërtimit është më i vogël, në muajt e shkuar të këtij viti ka ngritje çmimesh të banesave dhe paralajmërime të ndërtimtarëve për ngritje të tjera gjatë 2025-tës.
Sipas të dhënave të agjencive të paluajtshmërive, çmimi i një metri katror i një banese, në komplekset e ndërtimit në afërsi dhe përreth Stacionit të autobusëve të kryeqytetit, që vlerësohet si zonë pak më e largët nga qendra, thuaja shunmica e banesave në ndërtim shkojnë nga 1800, 2000 deri në 2200 euro e përtej. Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për banesa, ndërsa, sipas tyre rritja e çmimeve në qendër të kryeqytetit sidomos, ka zhvendosur kërkesën në periferi, duke bërë që edhe në pjesët periferike të ngritet tashmë çmimi i metrit katror ndjeshëm.
Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është, bie fjala, lagja Velania dhe përballë tërë përgjatësisë së Varrezave të Dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese që para 4-5 muajsh kushtonte rreth 1,500 euro, tani nuk mund të bëhet fjalë nën çmimin 2000 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është duke u ngritur muajt e fundit. Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani, ndjeshëm përtej 1,500 eurosh. Ndërsa në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,500-3,000 euro. Ndërsa, në ndërtesat e vjetra në Qendër ka fare pak shitblerje. Shitblerje e madhe e banesave në Qendër të Prishtinës (përgjatë sheshit Nënë Tereza, por edhe në rrugën Garibaldi është bërë vite më parë). Sidoqoftë, sipas agjencive të paluajtshmërive, rreth qendrës nuk mund të gjesh tani banesë nën 3.500 euro për metër katror. Në raport me koston e ndërtimeve, çmimi i banesave është shumë më i lartë edhe në qendrat e tjera komunale të vendit. /Buletini Ekonomik/











