Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) njofton se ka zhvilluar një takim në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ku e ka njoftuar për hetimet e nisura në sektron e energjisë në Kosovë, përkatësisht importin e energjisë elektrike për vitin 2024.
Përfaqësuesit e ZRRE në këtë takim Skender Muqolli dhe Muharrem Gashi, morën pjesë në takimin e 20-të të Grupit Punues të Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë (ECRB) për rregullin REMIT.
Rregulli REMIT përcakton kriteret që ndalojnë praktikat abuzive që ndikojnë në tregjet e energjisë me shumicë.
Në këtë takim, përfaqësuesit e ZRRE-së, të cilët udhëheqin edhe Taskforcën I “Regulatory Guidance on REMIT”, prezantuan zhvillimet më të fundit lidhur me udhërrëfyesin e REMIT dhe procesin e tij të avancimit në nivel rajonal.
Komuniteti i Energjisë, është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe një numër i shteteve të treta për të zgjeruar tregun e brendshëm të energjisë të BE-së në Evropën Juglindore dhe më gjerë.
Në njoftim, thuhet se grupi u njoftua se ZRRE ka nisur një hetim lidhur me importet e energjisë, me mundësi zgjerimi edhe në fushën e kapaciteteve interkonektive.
“Si rezultat i njoftimit të bërë nga ZRRE në takimin e kaluar, edhe Mali i Zi ka filluar analizimin e të dhënave për kapacitetet interkonektive në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe vendet fqinje shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në këtë proces.
Pjesëmarrja e ZRRE-së në këtë takim është dëshmi e angazhimit të saj të vazhdueshëm për avancimin e praktikave rregullative, forcimin e transparencës dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregun e energjisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Hetimet nga ZRRE vijnë pas një hulumtimi në seri në Buletini Ekonomik, rreth dyshimeve për dallavere nga tregtarët e energjisë me cmimin e importit të energjisë elektrike në Kosovë. Në vitin 2024, në raste cmimi për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë, KESCO-s I kushtoi deri në 800 euro, pa përfshirë këtu ende cmimin e energjisë elektrike. Hulumtimi zbulon edhe praktiken e tregtimit “në të zezë” nga tregtarët duke shmangur shitblerjen e energjisë elektrike në bursa.
HULUMTIMI:
Përmes NOA-s, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë
Tregtimi “në të zezë” i energjisë në vitin 2024 dhe anashkalimi i ALPEX-it nga “të gjithë”









