Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti del të ketë rritje në sektorin e ndërtimtarisë 4,15 për qind, përkundër stërngopjës së tregut të Kosovës me banesa (sipas të dhënave zyrtare diku mbi 180 mijë banesa në Kosovë të finalizuara janë të pabanueshme) dhe është regjistruar rënie, në këtë periudhë, ndër të tjera, në sektorin e energjisë elektrike dhe në menaxhimin e mbeturinave, përkundër nevojave urgjente që ka vendi për të pasur rrymë dhe për pastruar qytetet e shumta nga bërllogu kërcënues.
Mehmet GJATA
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbi aktivitetin ekonomik të tremujorit të dytë të vitit 2025, pos përplasjes evidente nërmjet përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës, shpërfaqën të dhëna interesante, që flasin goxha shumë për disa absurditete të pakuptimta të zhvillimeve ekonomike në Kosovë. Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti del të ketë rritje në sektorin e ndërtimtarisë 4,15 për qind, që është rritje jo e vogël, kur dihet se shumë parakushte dhe ecuri në këtë sektor kanë sinjalizuar për një parakrizë, madje edhe krizë për shkak të stërngopjës së tregut të Kosovës me banesa (sipas të dhënave zyrtare diku mbi 180 mijë banesa në Kosovë të finalizuara janë të pabanueshme) për shkak të çmimeve enorme të një metri katror të banesave dhe ambienteve afariste, për shkak të çmimeve në “qiell’ të tokave me koncesion, që shfrytëzojnë ndërtimtarët nga pronarë tokash në të gjitha qendra komunale të vendit, e veçmas në kryeqytet dhe për shkka të rritjes së ndjeshme të pagave të punëtorëve si domosdo për të gjetur punëtor të kualifikuar dhe të thjeshtë në ndërtimtari.
Të dhënat statistikore nga ASK-ja tregojnë se kanë pasur rritje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti (prill-qershor të 2025-tës) edhe disa aktivitete ekonomike duke përfshirë aktivitetet financiare dhe të sigurimit (8,79%), aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse (4,27%), industria përpunuese (3,34%), administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (0,99%), tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti dhe akomodimi (3,62%), arti dhe argëtimi (2,83%), informacioni dhe komunikimi (2,38%), bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2,98%), dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0,44%). Ndërkaq, po sipas këtyre të dhënave të ASK-së në muajt prill, maj dhe qershor të 2025-tës rënie është regjistruar në disa sektorë si industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave dhe rehabilitimi, me një ulje prej 6,79%.
Kur të analizohen edhe sipërfaqësisht shifrat e rritjes dhe rënies së aktivitetit ekonomik në sektorët e lartpërmenduar dhe të akceptuar nga ASK-ja, del të jetë jashtë logjikës rritja në sektorin e ndërtimit të stërngopur dhe për të cilën rritje, praktikisht ka fare pak nevojë, ose nuk ka fare nevojë në momentumin aktual Kosova, dhe të ketë rënie në sektorin e energjisë elektrike, për të çka konsumi i vendit ka shmuë nevoja, për plotësimin e të cilave edhe gjatë stinës së verës, e sidomos gjatë dimrit Kosova shpenzon qindra miliona euro për importin e energjisë së munguar.
Ka vazhduar, siç po shihet, praktika e deritashme në këto mbi 25 vjet, të investohet më shumë në sektorët ku nuk ke nevojë edhe aq shumë për të pasur ndonjë rritje të domosdoshme dhe mbetën anash sektorët ku kosova ka nevoja urgjente për të ndërtuar ndonjë kapacitet të ri për të prodhuar endergji elektrike (qoftë kapacitet të energjisë së rinovueshme, qoftë ndonjë termocentral të ri 500 megavatësh), ose për të menaxhua më efektshëm sektorin e mbeturinave dhe për ta rehabilituar një herë e mirë këtë sector, për shkakun e rrezikimit të shëndetit të kosovarëve nga bërllogu I shtresuar tashmë në shumë qendra të vendit.
Kosova edhe në periudhën prill-qershor 2025, nuk bëri asnjë hap të vetëm në yhvillimin energjetik të vendit. Ndërsa, në këtë situatë, nuk erdhi vetëm me pasivitetin e qeverisë aktuale. Ka ardhë në këtë situatë për shkak se zyrtarët edhe autoritetet e saj vendimmarrës, të gjithë pa përjashtim, që nga paslufta nuk u treguan fare parashikues, largpamës, sa i përket nevojës së ndërtimit të domosdoshëm të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike. Thjeshtë, qoftë nga padituria e përgjegjësve, qoftë nga mungesa e vullnetit politik në këtë periudhë nuk u nis dhe as nuk u finalizua asnjë projekt i prodhimit të rrymës, pos atij në bazë të erës që u finalizua me para të kompanive të jashtme në Shalë të Bajgorës. Siç u tha më lartë, nuk nisi dhe nuk përmbylli asnjë kapacitet elektroenergjetik të ri as Qeveria Kurti, me gjithë premtimet e shumta, vizionet goxha shpresëdhënëse dhe fjalët e mira për projekte të reja të energjisë së rinovueshme. Ndërsa, ka ngritje në ndërtimtari përkundër stërngopjes së tregut të vendit me banesa dhe me ambiente afariste (shitore të panumërta me dryna në dyer, sikundër edhe mbi 180 mijë banesa të “drynosura” që tashmë praktikisht janë investim I dështuar I yni). Deri kur do të vazhdojnë këto absurditete në yhvillimin ekonomik të Kosovës mbetët të shihet./Buletini Ekonomik/









