Kontributi i diasporës tash e me dekada të tëra, për Kosovën mbarë, popullsinë e saj të varfër, mirëqenien dhe mbijetesën e tyre në ditë të vështira dhe të mira, është i padiskutueshëm dhe i pamohueshëm. Praktikisht, kontributi i mërgatës së Kosovës ndjehet në të gjithë sektorët e vendit, edhe në ata zhvillimor dhe në ata të mirëqenies. Remitencat deri në korrik të 2025-tës në Kosovë arritën në mbi 781 milionë euro.
Mehmet GJATA
Diaspora kosovare, e madhe numerikisht, madje shumë e madhe po të kihet parasysh numri i banorëve të Kosovës, me gjasë edhe goxha e fuqishme financiarisht, vazhdon të ruajë ndërlidhshmërinë me vendlindjen edhe emocionalisht, edhe materialisht. Ndihmat ndaj familjeve në Kosovë, por edhe të prurjes në mënyra të ndryshme të parasë së shumtë në vendlindje, vazhdon me ritëm thuaja të njëjtë ndër vite.
Të dhënat zyrtare flasin për rritjen e prurjes së parasë nga mërgata (remitencave) në atdhe nga viti në vit. Edhe sivjet, gjatë gjysmës së parë të vitit, mërgata kosovare kanë sjellë më shumë para pranë familjeve të tyre në Kosovë. Sipas të dhënave të BQK, remitencat për këtë periudhë arritën në mbi 654 milionë euro, ose kishte një rritje prej 3.91 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërsa, sipas vlerësimeve paraprake, remitancat për muajin korrik 2025 ishin mbi 126 milionë euro, duke arritur kështu vlerën totale të 7-mujorit mbi 781 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare, prurjet më të mëdha kanë qenë përmes institucioneve financiare jobankare me 51.55%, bankave tregtare me 18.53% dhe kanaleve tjera me 29.93%.
Vitin e kaluar, siç dihet, remitencat, ose paraja e diasporës kishte shënuar një rekord të ri për 10 vitet e fundit, duke arritur në 1,350 miliardë euro. Edhe në vitin 2023, remitencat apo dërgesat financiare të mërgimtarëve në Kosovë kaluan 1.3 miliardë euro, që në raport me 1 miliard e 222.8 milionë euro, sa ishin remitancat në vitin 2022, u shënua rritje 9.9 për qind.
Por, prurjet e parave nga diaspora janë shumë që nga 1999-ta e këndej. Për të parë përmasat e remitencave të diasporës sonë po i prezentojmë disa të dhëna të bëra tashmë publike nga institucione monetare ndërkombëtare që nga viti 2008 e deri më 2021, që janë të përafërta, por jo plotësisht të sakta, gjithsesi. Të dhënat e institucioneve përkatëse të vendit flasin për shuma më të mëdha. Më 2008, në Kosovë prurjet e parave të mërgatës sonë kanë qenë 858 milionë euro, më 2009 – 865 milionë euro, më 2010 – 825 milionë, në vitin 2011 – 814 milionë euro, më 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 milionë euro dhe 2021 – 1.14 miliard euro. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovë, gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard e 443 milionë euro. Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nga mërgata janë dërguar rreth 13 miliardë euro. Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind. Këto janë fakte, sikundër që është fakt i padiskutueshëm se dërgesat e diasporës në të gjitha vitet e pasçlirimit ishin dhe mbetën burimi kryesor i të ardhurave të familjeve në Kosovë.
Paratë e diasporës e lehtësuan jetën e kosovarëve në gjithë këto vite të ngritjes së egër të çmimeve, sidomos të mallrave të konsumit të përditshëm. Më konkretisht, kontributi i kësaj diaspore tash e me dekada të tëra për Kosovën mbarë, popullsinë e saj të varfër, mirëqenien dhe mbijetesën e tyre në ditë të vështira dhe të mira, është i padiskutueshëm dhe I pamohueshëm. Praktikisht, kontributi i mërgatës së Kosovës ndjehet në të gjithë sektorët e vendit, edhe në ata zhvillimor dhe në ata të mirëqenies. Remitencat, siç shihet, janë para e madhe. Dhe, dihet, deri më tash, janë investuar kryesisht në buxhetet familjare, për mbijetesën e familjeve të diasporës në Kosovë.
Në vitet e fundit, mërgimtarët, janë përcaktuar që paranë e tyre ta investojnë shumë edhe në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave në qendra të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet. Fare pak, ose hiq, deri tani, paraja e mërgatës sonë është investuar në projekte industriale dhe prodhuese, në kapacitete që gjenerojnë kapital dhe vende të reja të punës dhe profit për investitorin eventual. Sipas konfirmimeve të ndërtuesve në Kosovë, 68 deri në 70 për qind e blerësve të banesave në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale të vendit, janë nga diaspora. Dhe, këto të dhëna, në njëfarë mënyre, flasin se deri më tash dolën të jenë të paefektshme deklarimet e shumta të zyrtarëve se “duhet që mjetet e diasporës të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.
As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset, sado premtuese në favor të konkretizimit të investimeve me para të diasporës, nuk u tregua këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa nga parashikimet e kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar bono thesari, të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i bindën edhe aq bashkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje. Mbase zyrtarët e ardhshëm të vendit, kushdo qofshin ata, nga cilido subjekt politik të vijnë, do të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithësi dhe parasë së tyre në veçanti, dhe nuk do të kujtohen për diaspsorën vetëm në prag të fushatave zgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve të ndryshme në vend. Mërgata jonë, njëherë e mirë duhet më në fund të bëhet pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor. /Buletini Ekonomik









