Prokuroria Speciale dhe Policia bastisin Ujësjellësin “Gjakova” dhe shtëpinë e Kryeshefit Ekzekutiv

Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar të hënën një operacion policor në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në banesën e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie. Operacioni është kryer në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Hetuesit nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë ekzekutuar urdhrin e kontrollit si pjesë e hetimeve në vazhdim, të cilat po zhvillohen nën koordinimin e Prokurorisë Speciale. Hetimet përqendrohen në dyshime për vepra penale që janë objekt i procesit hetimor.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente dhe prova të tjera materiale, të cilat pritet të shërbejnë si prova thelbësore për rastin në fjalë.

Reklama e sponzorizuar

Dyshimet për vepra penale

Hetimet po zhvillohen për dyshime lidhur me kryerjen e disa veprave penale, përfshirë:

– Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar

– Falsifikimi i dokumentit zyrtar

– Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore

– Konflikt i interesit

– Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurorim publik