Rreth 34 për qind e investimeve të huaja në Shqipëri, pasuri të paluajtshme

Sipas statistikave, gati 34% e investimeve të huaja direkte në Shqipëri në fund të tremujorit të dytë kanë qenë në pasuri të paluajtshme, 17% në sektorin e ndërmjetësimit financiar, 11% në hidrokarbure, ndërkohë investimet në energjitikë kanë qenë në masën 11% dhe në komunikacion në masën 4%.  

Në 398 milionë euro ka arritur vlera e investimeve të huaja direkte në fund të tremujorit të dytë, pa lëvizje të konsiderueshme ose vetëm 0.3% më lart se niveli i regjistruar në një vit më parë. Nga të dhënat e sapopublikuara të Bankës së Shqipërisë rezulton se komponenti që ka kontribuar më tepër në këtë rritje të lehtë është fitimi i riinvestuar.

Reklama e sponzorizuar

Shuma e fitimit të riinvestuar vlerësohet të jetë 206 milionë euro.

Por, cilët janë sektorët që kanë përthithur më shumë investime të huaja?

Pasuritë e paluajtshme nuk ndalojnë së përthithuri investime të huaja. Sipas statistikave, gati 34% e investimeve të huaja direkte kanë qenë në pasuri të paluajtshme, 17% në sektorin e ndërmjetësimit financiar, 11% në hidrokarbure, ndërkohë investimet në energjitikë kanë qenë në masën 11% dhe në komunikacion në masën 4%, raporton Scantv.

Po shqiptarët, sa kanë investuar jashtë vendit?

Zotërimet tona jashtë, pra mjetet financiare në formën e investimeve direkte jashtë vlerësohen në rreth 92 milionë euro, në rritje me rreth 31%. Investimet e portofolit, pra investimet në aksione, obligacione dhe letra të tjera me vlerë, rezultuan në një fluks neto hyrës prej 96 milionë euro. Kjo ecuri vjen si pasojë e zhvillimeve në kahun e zotërimeve tona jashtë, ku bankat kanë tërhequr flukset valutore të investuara jashtë në letra me vlerë të borxhit duke sjellë rënie të zotërimeve të ekonomisë shqiptare në tituj borxhi (në rreth –122 milionë euro).

Në të njëjtën kohë, ka vijuar rënia e detyrimeve ndaj jorezidentëve, në drejtim të tkurrjes së ekspozimit të letrave me vlerë të borxhit me 29 milionë euro (si pasojë e rritjes së pjesëmarrjes të bankave rezidente në eurobondin e Qeverisë së Përgjithshme).