11 komuna të Kosovës ende pa buxhet për vitin fiskal, rrezikohet funksionimi dhe projektet

Fotografi ilustruese

Procesi i miratimit të buxheteve komunale për vitin fiskal ende nuk është finalizuar në të gjithë territorin e vendit.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se 11 komuna: Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë, janë ende pa buxhet të miratuar.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, kjo situatë lidhet me rrethanat politike në vend, pasi Kosova ndodhet në proces zgjedhor komunal dhe balotazhi në disa komuna mbahet më 9 nëntor.

“Kjo gjendje është pasojë e rrethanave politike në Republikën e Kosovës, pasi vendi ndodhet në proces zgjedhor komunal dhe më 9 nëntor mbahet balotazhi në disa komuna. Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe në procedurën e miratimit të buxheteve”, tha ai për Front Online.

Ai paralajmëroi se nëse buxhetet komunale nuk miratohen para buxhetit të shtetit, komunat do të kufizohen në financim të përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak.

“Rreziku ekziston që nëse buxhetet komunale nuk miratohen para se Kuvendi i Republikës së Kosovës të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e shtetit, komunat të mbesin të kufizuara në financimin e përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak”, tha Ibrahimi.

Për këtë arsye, Asociacioni ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit, që buxhetet të miratohen pas konstituimit të organeve të reja komunale.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve, në mënyrë që procesi të zhvillohet pas konstituimit të kuvendeve të reja dhe të reflektojë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur”, tha ai për Front Online.

Sipas Ibrahimit, mosmiratimi me kohë i buxheteve komunale ndikon direkt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e komunave.

“Shërbimet publike mbulohen vetëm në nivelin bazik, duke penguar nisjen e projekteve të reja. Projektet kapitale; ndërtimi i rrugëve, shkollave, çerdheve, ujësjellësve dhe kanalizimeve mund të pësojnë vonesa të mëdha. Ekonomia lokale mund të dëmtohet nga pasiguria e kontraktorëve dhe bizneseve që bashkëpunojnë me komunat”, shtoi ai.

Mirëpo, kryetarët e komunave nuk e shohin vonesën e miratimit të buxheteve si problem, duke thënë se është herët dhe do të aprovohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe konstituimit të asamblesë së re komunale.