Rikthehet në operim njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar opinionin publik se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer me sukses në operim, pas përfundimit të punimeve të sanimit të defekteve teknike të paraqitura në kaldajë.

Njësia B2 ishte ndalur më 26 tetor 2025, si pasojë e rrjedhjeve të evidentuara në sistemin e kaldajës. Siç thonë nga KEK, menjëherë pas krijimit të kushteve të nevojshme për ndërhyrje, ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit janë mobilizuar plotësisht dhe kanë punuar pa ndërprerje për të realizuar të gjitha riparimet e domosdoshme.

Reklama e sponzorizuar


“Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit të Termocentralit “Kosova B”, sanimet përfunduan me sukses dhe njësia u rikthye në operim më 29 tetor, rreth orës 12:00, duke operuar aktualisht me një kapacitet prej rreth 290 MWh”, thuhet në njoftimin e KEK.

KEK thekson se ndaljet e përkohshme të njësive gjeneruese në termocentrale të këtij tipi janë procese të zakonshme teknike, të cilat ndodhin si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldaja, ku janë të vendosura mbi 500 kilometra gypa.


“Duke pasur parasysh kohën e gjatë të shfrytëzimit të këtyre pajisjeve, rrjedhje të tilla janë të pashmangshme dhe adresohen rregullisht nga ekipet profesionale të KEK-ut. Është e rëndësishme të kuptohet se edhe operatorët e tjerë të sektorit energjetik, brenda dhe jashtë vendit, përballen çdo ditë me defekte teknike të natyrave të ndryshme, të cilat trajtohen në mënyrë profesionale dhe pa krijuar alarm publik. Prandaj, keqinterpretimet apo keqinformimet që lidhen me ndaljet e përkohshme të njësive gjeneruese janë të pabazuara dhe të dëmshme, si për Korporatën Energjetike të Kosovës, ashtu edhe për sistemin energjetik të vendit në tërësi.”

KEK thekson gjithashtu se ndaljet teknike nuk kanë asnjë lidhje me projektin madhor të modernizimit të turbinave të Termocentralit “Kosova B”, i cili mbetet një nga investimet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të dekadave të fundit në sektorin energjetik të Kosovës. /Buletini Ekonomik/