Shumë parregullësi ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në një raport për Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), i cili menaxhohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
KOSTT kishte dështuar të menaxhojë jo balancat e energjisë elektrike të shkaktuara nga prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Sipas Auditorit, kjo bëri që konsumatorët e rrymës në Kosovë të dëmtohen për 10 milionë euro vetëm gjatë viteve 2022-2024.
Kështu, në vitin 2018, Fondi i BRE-ve ishte 2.87 milionë euro, por në vitet pasuese pati kërcim shumë të madh të kostove. Në vitin 2019 arriti në 14 milionë euro, më 2020 kërceu në 17.5 milionë euro, për të arritur rreth 21 milionë euro në vitin 2023.
Këto shpenzime të krijuara në kuadër të Fondit, sipas secilit vit, u shpërndahen konsumatorëve në faturat e energjisë elektrike.

Për ta thjeshtuar, për një amvisëri që shpenzon energji elektrike mujore mesatarisht 1000 KWh (1 MWh) është rritur çmimi i faturës së energjisë elektrike nga 0.73 euro në 3.14 euro për muaj, në emër të tarifës së BRE-ve. Nga kjo, të hyrat nga tarifa e Fondit për burimet e ripërtëritshme të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, prej 4 deri në 16 milionë euro.

Sipas raportit të Auditorit, kjo rritje e shpenzimeve për Fondin erdhi sidomos nga menaxhimi i dobët i jo balancave nga KOSTT.
Si operator i sistemit dhe tregut, KOSTT është përgjegjëse për balacimin e energjisë elektrike në rrjet. Energjia që prodhohet duhet të jetë e balancuar me kërkesën, pra me energjinë që konsumohet. Kur prodhimi është më i lartë se kërkesa apo parashikimi, atëherë në rrjet shkaktohen ato që njihen si jo balancat e energjisë elektrike. Për shpenzimet e krijuara nga jo balancat, përgjegjëse është KOSTT, e cila gjobat për jo balancat i paguan në ENTSO, mekanizmin evropian që ka nën ombrellë Operatorët e Sitemeve të Transmisionit të Evropës. Këto shpenzime nga jo balancat që KOSTT i paguan në ENTSO, pastaj ZRrE varësisht prej rregullave në fuqi ua ngarkon konsumatorëve fundorë, një pjesë ose plotësisht.
Prandaj një nga detyrat kryesore të KOSTT ndaj prodhuesve të energjisë elektrike, është që t’i mbajë përgjegjës duke i obliguar që të prodhojnë energji elektrike vetëm për aq sa kanë parashikuar paraprakisht.
Në rastin e prodhuesve nga energjia e ripërtëritshme, sipas auditorëve, KOSTT gjatë viteve 2022-2024 dështoi t’i menaxhojë jo balancat e energjisë elektrike, duke ngarkuar Fondin e BRE-ve për dhjetëra miliona euro. Vetëm për periudhën 2022-2024, nga ky dështim në menaxhimin e jo balancave u krijuan shpenzime shtesë mbi 10 milionë euro për konsumatorët e rrymës në Kosovë.
“Për tri vitet e auditimit 2022-2024, jo balancat totale vjetore janë pozitive në secilin vit, që nënkupton se prodhuesit e burimeve të ripërtërishme kanë parashikuar çdo herë më pak dhe kanë prodhuar më shumë, duke detyruar kështu KOSTT të blejë energji që nuk mund ta shesë. Kjo i ka shkaktuar KOSTT-it shpenzime më të larta për blerje se sa do duhej”, vlerëson Auditori.
Prodhuesit e BRE-ve, gjatë këtyre tri viteve, në vazhdimësi kishin parashikuar gabim, duke prodhuar energji elektrike më shumë se që kishin parashikuar. Kjo në raste të caktuara bëhet edhe me qëllim, pasi rregullat në fuqi favorizojnë prodhuesit e BRE-ve edhe kur shkaktojnë jo balanca.
Ndonëse vetë i shkaktojnë jo balancat, prodhuesit e BRE-ve me rregullat aktuale, përvec që nuk marrin përsipër shpenzimet e krijuara nga gabimet e tyre në parashikim, ata edhe përfitojnë nga kjo.
Kjo sepse sipas rregullave në fuqi, KOSTT obligohet që ta blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga BRE-të, përfshirë këtu edhe energjinë e prodhuar mbi parashikimin. Por kur vjen puna te shitja, KOSTT mund ta shesë vetëm sasinë e energjisë së parashikuar. Diferenca që krijohet mes sasisë së energjisë që është parashikuar nga prodhuesit e BRE-ve dhe energjisë që është prodhuar në të vërtetë, i kalon si shpenzim Fondit të BRE-ve, të cilin e paguajnë përmes faturave konsumatorët fundorë.
Sipas një vendimi të ZRrE-së të vitit 2019, nga shpenzimet e krijuara nga jo balancat, vetëm 5 për qind prej tyre i marrin përsipër prodhuesit e BRE-ve, pjesa tjetër mbulohet nga KOSTT përmes fondit.
Sipas Auditorit, “kjo ndodhë sepse prodhuesit shesin gjithë energjinë e prodhuar tek KOSTT pavarësisht parashikimeve, pasi që një gjë e tillë është përcaktuar në kontratën e shitblerjes së energjisë mes prodhuesve dhe KOSTT”.
Por KOSTT nuk kishte arritur t’i ofrojë auditorëve bazën ligjore për këtë marrëveshje me prodhuesit e BRE-ve.
“Sipas KOSTT, marrëveshja ishte bazuar në aktet ligjore dhe nën ligjore që kanë qenë në fuqi ku kërkohej që KOSTT të blejë gjithë sasinë e prodhuar, kjo me qëllim që të nxisë investimet në fushën e burimeve të energjisë së ripërtërishme dhe arritjen e caqeve. Mirëpo ne kemi gjetur se një gjë e tillë ishte cekur vetëm në ‘’strategjinë e energjisë 2017-2026’’. Mirëpo aktet ligjore dhe nënligjore që ishin në fuqi në periudhën kur janë nënshkruar marrëveshjet i japin përparësi energjisë së burimeve të ripërtërishme por nuk e specifikojnë qartë nëse KOSTT-i duhet të blejë tërë sasinë e prodhuar pavarësisht nominimit (parashikimit)”, thuhet në raportin e ZKA.
Auditori vëren se prej 31 prodhuesve sa janë në total, prej tyre tre prodhues janë përgjegjës për mbi 80% të jo balancave totale vjetore. Në raport nuk përmenden emrat e prodhuesve, por auditori lë të kuptohet se gabimet në parashikim nga këta tre prodhues ishin të qëllimshme.
“Pasaktësia e parashikimeve nuk është faktor që ndikon nga jashtë, sikurse janë kushtet atmosferike, por është faktor që varet direkt nga veprimet njerëzore”, vlerëson ZKA.
Nga KOSTT nuk janë përgjigjur lidhur me këto gjetje të Auditorit. Buletini Ekonomik ka dashur të kuptojë se pse nuk janë menaxhuar jo balancat sipas rregullave në fuqi.
Sidoqoftë, një përgjigje për këtë, KOSTT e ka dhënë në komentet që ka dërguar në ZKA, me rastin e auditimit, por në terma përgjithësues.
“Prodhuesit BRE bazuar në legjislacionin në fuqi paguhen për të gjithë energjinë e matur të tyre (kjo si formë nxitëse për prodhimin nga BRE) dhe ato janë përgjegjës për 25 % të jobalanceve të tyre që janë një incentive që të parashikojnë sa më saktë si për mungesa ashtu edhe taprica”. /Buletini Ekonomik/
LEXONI HULUMTIMIN E PLOTË:
Dështimi i ZRrE-së e KOSTT-it në mbikëqyrje katërfishoi tarifën e BRE-ve për konsumatorët e rrymës









