Kosova humb mbi 1.5 hektarë pyje në ditë për shkak të prerjes së pakontrolluar të drunjve, duke rritur rrezikun e shpyllëzimit

Po të krahasojmë përmasat e territorit dhe numrin e banorëve të Kosovës me hektarët e pyjeve tropikale, që humbasin çdo vit në mbarë botën, mbase te ne gjendja del edhe më e keqe, më tronditëse dhe më alarmuese.

Buletini Ekonomik

Kombet e Bashkuara (Zyra e OKB-së në Gjenevë), nëpërmjet një postimi në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, kanë njoftuar në fillim të kësaj jave se njoftuan se 10 milionë hektarë pyje tropikale humbasin çdo vit në mbarë botën. “Bota po humbet 10 milionë hektarë pyje tropikale çdo vit. Çdo hektar i humbur do të thotë më pak biodiversitet, rezistencë më e dobët ndaj klimës dhe rreziqe më të mëdha për shoqëritë”, thuhet në postim. Postimi thekson se Konferenca e 30-të e Palëve në Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP30) është mundësi për të ndaluar shpyllëzimin dhe për të investuar në rimëkëmbjen e natyrës.

Reklama e sponzorizuar

Shkencëtarët kanë përcaktuar se 28.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të shpyllëzimit. Gjithashtu hulumtuesit përcaktuan se 345 milionë njerëz janë ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme midis viteve 2001 dhe 2020 për shkak të shpyllëzimit në pyjet tropikale dhe se si pasojë e kësaj ngrohjeje të shkaktuar nga kjo situatë, 28.000 persona kanë humbur jetën çdo vit nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë. Hulumtuesit vunë re se Azia Juglindore ka shkallën më të lartë të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, e ndjekur nga rajonet tropikale të Afrikës dhe Amerikës. Rezultatet e studimit u botuan në revistën “Nature Climate Change”.

Këto të dhëna të frikëshme të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, ne përfaqësuesve të mediave në Kosovë, domosdo nuk na lënë indiferent. Na bëjnë kureshtar dhe kërkues për të parë përmasat e dëmtimit të pyjeve në vendin tonë. Sa është dëmi nga shkatërrimi i përditshëm i pyjeve kosovare, cilat janë pasojat dhe pse kaq pak interesim për t’i ruajtur ato nga autoritetet kompetente?

Po të krahasojmë përmasat e territorit dhe numrin e banorëve të Kosovës me hektarët e pyjeve tropikale, që humbasin çdo vit në mbarë botën, mbase te ne gjendja del edhe më e keqe, më tronditëse dhe më alarmuese.

Kosova brenda një viti humb mesatarisht 654 hektarë pyje, konstatohet në bazë të të dhënave të siguruara përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin). Norma e humbjeve vjetore të pyjeve në një mesatare vjetore 654 hektarë brenda një viti kalendarik, nëse përkthehet në mesatare ditore del të jetë afro 1.5 hektarë në ditë, kishte saktësuar kohë më parë Faruk Foniqi, ekspert i specializuar në GIS dhe Remote Sensing në Universitetin e Torontos dhe Kalifornisë, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik kohë më parë.

“Të dhënat për dëmtimin e pyjeve në Kosovë janë siguruar përmes bashkëpunimit me organizata që janë të fushës së teknologjisë gjeohapësinore brenda dhe jashtë kontinentit të Evropës, ndërsa në bazë të analizave testuese në terrene të ndryshme të vendit, rezulton që këto të dhëna kanë validitet shkencor mjaft të lartë. Më të dëmtuara pyjet janë në regjionet periferike të Kosovës, ndër to, rajoni i Gjilanit (komuna e Vitisë, Kamenicës), pastaj i Gjakovës dhe rajoni i Mitrovicës, konkretisht te komunat me shumicë serbe, pasi kontrolli i shtetit është më i pakët dhe dëmtuesit e pyjeve e shfrytëzojnë këtë situatë”, ka sqaruar Foniqi.

Në bazë të analizave të trendeve të dëmtimit të pyjeve në vendin tonë është nxjerrë projeksioni që parasheh se nëse nuk merren masa konkrete, Kosova brenda 15 vjetëve të ardhshëm (2035) do të përballet me pyje të pashëndetshme në aspektin e funksionit ekologjik. Llojet e drurëve që janë pre e keqbërësve janë kryesisht ato që shfrytëzohen për ngrohje nga qytetarët dhe shumë lehtë mund t’i vërejmë në tregjet tona, siç janë ahu, bungu, shkoza etj., ka thënë Faruk Foniqi, i angazhuar më 2022 edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si koordinator për krijimin e databazës së GIS-it për energjinë e ripërtritshme në Kosovë (BRE). Ndërsa, sipas tij, prerja ilegale e drunjve vlerësohet si fenomeni kryesor që sjell humbjen e qindra hektarëve të tokës pyjore në Kosovë çdo vit.

Mes viteve 2000 dhe 2022, Kosova humbi gati 16 mijë hektarë tokë pyje apo nga 2 hektarë e përtej në ditë, sipas një analize të bërë nga organizata Sustainability Leadership Kosova (SLK) dhe si rrjedhojë e volumit enorm të prerë të drunjve gjendja e pyjeve në Kosovë është alarmuese.

Sipas Foniqit, prerjet e drunjve në Kosovë nuk monitorohen dhe nuk ka ndonjë plan revitalizimi të mirëfilltë të zonave të dëmtuara tejdukshëm nga prerja e madhe e drunjve. Dhe, ky është problemi në Kosovë për dallim nga shumë vende të tjera, ku parashihen masat dhe kush do ta menaxhojë hapësirën e shfrytëzuar pyjore dhe kush do ta ripyllëzojë atë hapësirë.

Të dhënat e autoriteteve zyrtare flasin se shumica e pyjeve në vend janë nën pronësi shtetërore, ndërsa degradimi i pyjeve është në nivele më të larta veçanërisht në zonat kufitare të Kosovës, ku monitorimi i pyjeve është më i vogël.

Një tjetër sfidë me të cilën përballet me vite Kosova është toka e bukës e tkurrur dhe e humbur vit pas viti dhe që nuk është tejkaluar asnjëherë nga asnjëra qeveri, dhe as nga kjo aktualja. “Humbet” çdo vit e më shumë sipërfaqja e tokës së bukës, arave e kopshtijeve. Me këtë trend të shkatërrimit të tokave të bukës, Kosova, praktikisht, rrezikon të mbetet pa ara dhe pa kopshtije, dhe në këtë mënyrë, nuk do të ketë sipërfaqe as përafërsisht të mjaftueshme për të mbjellë drithërat as ato të domosdoshmet, as pemë dhe perime, alarmojnë ekspertët e bujqësisë.

Sipas të dhënave të bëra publike, sa e sa herë edhe nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme që merren me bujqësinë, por asnjëherë të verifikuara saktësisht, në Kosovë gjatë një viti, që nga paslufta, shkatërrohen rreth 1.000 hektarë tokë buke (ara dhe kopshtije) dhe kjo i bie se që nga viti 2000, Kosova ka humbur rreth 24 mijë hektarë ara.

Që nga paslufta, në Kosovë, praktikisht qindra e mijëra hektarë të tokave bujqësore, kryesisht rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës, janë përdorur për qëllime jobujqësore. Po ashtu, edhe pse mungojnë të dhënat e sakta zyrtare, qindra e mijëra hektarëve të tokës së bukës i është ndërruar destinimi. Sipas të dhënave të Sindikatave të Bujqëve, kjo sipërfaqe arrin deri në 1000 hektarë. Mirëpo, njohësit e rrethanave dhe ekspertët mendojnë se Kosova në vitet e pasluftës ka humbur shumë më shumë tokë të punueshme edhe nga ndryshimi i destinimit të tokave të bukës, sidomos pas privatizimit të shumë sipërfaqeve të tokave nga ish-kooperativat bujqësore.

Profesor Halim Gjergjizi, ligjërues shumëvjeçar i politikave agrare në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, ka thënë për Buletinin Ekonomik se “Kosova po mbetet pa toka të bukës. Trendi i shkatërrimit e tokave është i vrullshëm dhe nuk po ndalet”.

Sipas tij, Kosova ka pasur gjithsej diku rreth 600 mijë hektarë tokë (ara, kopshtije dhe livadhe), nga kjo sipërfaqe – diku rreth 440 mijë hektarë kanë qenë tokë e bukës (ara dhe kopshtije). Mirëpo, nga shkatërrimi i pamëshirshëm dhe i vazhdueshëm, sipas tij, tani “nuk kanë mbetur as gjysma e hektarëve me ara dhe kopshtije”.

“Kjo është e dhimbshme”, thotë profesor Gjergjizi, duke shtuar se “kanë dështuar politikat dhe ndonjë masë e ndërmarrë nga shteti për të parandaluar asgjësimin e tokave të bukës”. /Buletini Ekonomik/