Kush do t’i mbrojë qytetarët nga çmimet abuzive në këtë fundvit?

Fotografi ilustruese

Deri sivjet, në të gjitha ditët e dhjetorit, sidomos në ato deri në Krishtlindje dhe në prag të Vitit të Ri, tregu i vendit është përballur me lëvizje (ngritje të ndjeshme abuzive të çmimeve), sidomos të çmimeve të produkteve ushqimore, veçmas ato të shportës dhe të karburanteve. Kush do të mbrojë qytetarët nga çmimet abuzive tani në prag të festave të fundvitit, kur dihet se edhe pushteti, edhe opozita janë vënë me gjithë potencialet e veta në shërbim të parafushatës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndërsa organet kompetente të vendit thuajse janë inekzistente prej shumë vitesh, duke braktisur obligimet e tyre për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet e tregtarëve.

Mehmet GJATA

Reklama e sponzorizuar

Edhe sivjet, në prag të festave të fundvitit dhe para ardhjes më masovike të mërgimtarëve tanë, qytetarët e Kosovës, por edhe njohësit e zhvillimeve në tregun e vendit, shprehen të shqetësuar se në ditët në vazhdim të muajit të fundit të 2025-tës, si rëndom, mund të ngriten shumë çmimet e produkteve elementare dhe të mallrave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e kosovarëve. Deri sivjet, në të gjitha ditët e dhjetorit, sidomos në ato deri në Krishtlindje dhe në prag të Vitit të Ri, tregu i vendit është përballur me lëvizje (ngritje të ndjeshme abuzive të çmimeve), sidomos të çmimeve të produkteve ushqimore, veçmas ato të shportës dhe të karburanteve. Me fjalë të tjera, shporta e qytetarit të rëndomtë të Kosovës, në dhjetor të viteve të fundit, sidomos që nga pandemia e këtej, ishte bërë shumë më e shtrenjtë, krahasuar me vitet paraprake. Kështu ndodhi edhe më 2024, kur çmimet e shumë produkteve, qoftë esenciale ushqimore, qoftë të tjera, por edhe të shërbimeve në Kosovë janë ngritur ndjeshëm, si rëndom, në prag të festave të fundvitit.

Sipas analistëve, nuk ka për të ndodhur ndryshe as në këtë vit, ose gjasat për t’u ripërsëritur dukuria e keqe e ngritjes së çmimit në prag të festave dhe në rastin e ardhjes së mërgimtarëve, janë reale. Tregtarët kosovarë ngarendin në këtë periudhë për të respektuar pa asnjë kriter ligjin e ofertës dhe të kërkesës, përkatësisht për të rritur çmimet jashtë çdo logjike tregu kur kërkesa për konsum rritet.

Tashmë, kanë filluar të ngjiten vrullshëm një mori çmimesh të ushqimeve bazike. Në fund të nëntorit u regjistrua çmimi rekord i vezëve (çmimi prej 6 e më shumë euro për një komplet prej 30 kokërrash vezësh, nuk është shënuar ndonjëherë deri më tani në Kosovë), ngritja e çmimit të mishit të viçit në shumë mishtore nga 11 e 12 euro kilogrami në 16 euro e përtej dhe ngritja e heshtur abuzive edhe e një varg çmimesh të tjera të produkteve me origjinë nga qumështi, dhe produkteve të higjienës, janë paralajmërim i tejdukshëm për valë ngritjesh çmimesh edhe në këtë dhjetor.

Edhe çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas), në nëntor dhe dhjetor kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve, veçmas, sikundër edhe te vezët.

Pak a shumë këto janë zhvillimet e ecurisë së çmimeve në tregun e Kosovës në këtë fundvit. Çmimet e të gjitha produkteve në tregun e Republikës sonë vazhdojnë të ngriten, madje jashtë çdo norme dhe logjike të tregut. Marzhat e fitimit neto të tregtarëve kosovarë janë kolosale, dhe në shumë raste tejkalojnë 50 përqindëshin e çmimit të prodhimit, apo të importit. Dhe keqpërdorimet me ngritje çmimesh të tregtarëve tanë, bëhen thuajse legalisht, pa i kontrolluar askush, dhe pa i frenuar në asnjë çast askush.

Tani, edhe pushteti, edhe opozita janë vënë me gjithë potencialet e veta në shërbim të parafushatës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të premtimeve të panumërta të rrejshme dhe askush nuk e kthen kokën te tregu i vendit, as te manipulimi me çmime edhe te produktet elementare ushqimore. Jemi, pra, të veçantë edhe në këtë aspekt nga shtetet e shumta të botës, edhe të rajonit. Në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut, në këtë muaj dhe në ditët në vazhdim të janarit (nga data 1 dhjetor deri më 15 janar), përherë janë vënë në monitorim të posaçëm çmimet e produkteve të shportës. Në Kosovë, ata që e kanë obligim të bëjnë këtë, shprehin gatishmëri të premtojnë çmime të ulura, mirëqenie dhe paga e pensione të shumëfishuara deri më 28 shkurt, dhe as që u bie ndër mend për t’u marrë me rastet e keqpërdorimeve të tregtarëve abuzivë. Organet kompetente të vendit thuajse janë inekzistente prej shumë vitesh, duke braktisur obligimet e tyre për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet e tregtarëve. Në Kosovë, thënë shkurt, për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mungesës së institucioneve më të rëndësishme të shtetit, nuk ka kush të merret me problemet dhe pasojat që shkaktojnë këto lëvizje të pandalshme çmimesh.

Ç’është e vërteta, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, institucioni që e ka për detyrë të kontrollojë keqpërdorimet e tregtarëve dhe të prodhuesve me çmime dhe, në një farë mënyre, të stopojë keqpërdorimin me çmime, për medien e vendit ka deklaruar se po hetojnë rastet e keqpërdorimeve dhe nëse ka ndonjë marrëveshje të ndaluar mes operatorëve për ngritje artificiale të çmimeve. Sipas AKK-së, nëse gjatë këtij procesi dalin të dhëna që sugjerojnë sjellje të mundshme antikonkurruese, do të ndërmerren masa të tjera sipas mandatit të saj ligjor, përfshirë hapjen e hetimeve të thelluara.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, kohë më parë pati deklaruar, po kështu, se rreth 25 produkte ushqimore (djathi, vezët, qumështi, e produktet, të cilat janë të domosdoshme për familjet) po monitorohen për shkak të ngritjes së çmimeve, duke analizuar e shqyrtuar keqpërdorimet në ndryshimet e çmimeve të tyre.

Por, që tani shtrohet pyetja se a mund të marrë masa Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës kundër keqpërdoruesve eventualë me çmimet, kur dihet se ka kohë që ky institucion punon me bord të mangët dhe të pakompletuar, dhe për këtë shkak ende është jofunksional dhe nuk mund të marrë vendime, as sanksione eventuale për shkelësit e tregut, për shkak të moskompletimit të bordit me anëtarët e nevojshëm të parashikuar.

Ndër 17 institucionet e vendit, të identifikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave u ka vështirësuar në masë të ndjeshme puna, ose u është bllokuar apo pezulluar aktiviteti në mungesë të Kuvendit të Republikës për muaj të tërë, është edhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, një ndër institucionet e rralla në vend, që kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet jashtligjore të çmimeve.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, një nga institucionet e pakta që do të duhej të monitoronte tregjet e vendit dhe shkeljet nga tregtarët, ngritjen e paligjshme të çmimeve dhe të një varg manipulimesh të tjera nëpër ambientet tregtare anembanë vendit, ka kohë që nuk mund të marrë vendime, as sanksione për shkak të moskompletimit të bordit me anëtarët e nevojshëm dhe të parashikuar. Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës ka kohë që ka vetëm 3 anëtarë të bordit, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi, duhet të ketë 5 anëtarë. Është institucion që i jep llogari Kuvendit, prandaj edhe organi më i lartë legjislativ është ai që bën përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të këtij institucioni. Dhe në mungesë të konstituimit të Kuvendit për muaj të tërë, Autoriteti i Konkurrencës ka vazhduar të mbetet jofunksional. Me muaj, pra, nuk mund të marrë vendime, as sanksione kundër shkelësve të ligjit në sektorin e çmimeve, as ndaj atyre për të cilët është konstatuar se kanë ngritur jashtëligjshëm dhe në koordinim me njëri-tjetrin çmimin e produktit të tyre, siç është rasti me furrtarët në disa qendra komunale të republikës.

Prandaj, në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në një farë mënyre, vazhdojnë të mbeten në “rënie të lirë” dhe fare jashtë kontrollit. Pak kush, për shkaqet e sipërpërmendura, është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët abuzivë edhe në periudhat e fundit. Ndërsa keqpërdoruesit, tregtarët që manipulojnë konsumatorët, mbeten të pasanksionuar në mungesë të institucioneve kompetente funksionale. /Buletini Ekonomik/