Shtrenjtimi i jetesës në Kosovë po del jashtë kontrollit, vlerësojnë njohësit e ekonomisë, teksa çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë vazhduar rritjen edhe në fund të vitit. Sipas të dhënave zyrtare, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (HICP) është rritur me 5.3 për qind në nëntor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo rritje nënkupton se qytetarët sot paguajnë ndjeshëm më shumë për shportën bazë të mallrave dhe shërbimeve. Shtrenjtimi është ndjerë më së shumti te produktet ushqimore, energjia, transporti dhe shërbimet bazë, të cilat përbëjnë pjesën kryesore të shpenzimeve mujore të familjeve.
Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, vlerëson se rritja e çmimeve nuk është e përkohshme, por një trend që ka vazhduar që nga viti 2020. Sipas tij, inflacioni është përshpejtuar veçanërisht nga muaji maj e këndej, duke kaluar nga niveli 4–5 për qind në mbi 5 për qind, ndërsa pagat, pensionet dhe kompensimet nuk e kanë ndjekur këtë ritëm.
Shatri tha për FrontOnline se kjo ka çuar në rënie të fuqisë blerëse dhe varfërim të popullsisë, duke goditur më së shumti shtresat e mesme dhe të varfra, shërbyesit civilë dhe punëtorët e sektorit privat. Ai veçon edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, e cila ka ndikuar në shtrenjtimin e produkteve vendore dhe ka rënduar buxhetet familjare. Sipas tij, mungesa e masave qeveritare për nxitjen e prodhimit vendor dhe frenimin e çmimeve e ka përkeqësuar situatën.
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, vlerëson se inflacioni prej 5.3 për qind nuk është vetëm statistikë, por realitet i përditshëm për qytetarët. Ai thekson se me paga të pandryshuara, qytetarët blejnë më pak ushqim dhe paguajnë më shtrenjtë energjinë, ngrohjen dhe shërbimet bazë, çka tregon rënie të dukshme të standardit të jetesës. Sipas tij, më së shumti po goditen familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe punëtorët e sektorit privat, për të cilët shtrenjtimi i jetës është çështje mbijetese.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve ekonomike Jakup Bellaqa thekson se inflacioni ka shënuar rritje graduale gjatë gjithë vitit, duke kaluar nga 4.2 për qind në korrik në 5.3 për qind në nëntor. Ai vlerëson se faktorët kryesorë janë të brendshëm, veçanërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind në qershor, si dhe mungesa e mbikëqyrjes së tregut.
Sipas Bellaqës, mosfunksionimi i institucioneve dhe kontrolli i dobët i tregut kanë krijuar hapësirë për praktika monopoliste, ku çmimet nuk formohen më nga oferta dhe kërkesa, duke përkeqësuar më tej situatën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Njohësit paralajmërojnë se, pa masa konkrete për frenimin e inflacionit dhe mbështetjen e fuqisë blerëse, barra e shtrenjtimit të jetesës do të vazhdojë të bjerë kryesisht mbi qytetarët.









