Bruto Produkti Vendor (BPV) i Kosovës ka shënuar rritje prej 3.08 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
ASK njofton se rritja e BPV-së është llogaritur sipas aktiviteteve ekonomike, qasjes në shpenzime, si dhe çmimeve aktuale dhe atyre të një viti paraprak.
Sektorët që kanë kontribuar më së shumti në këtë rritje janë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me rritje prej 8.13 për qind, ndërtimtaria me 7.19 për qind, si dhe aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, së bashku me shërbimet administrative dhe mbështetëse, me 4.76 për qind.
Rritje është shënuar edhe në bujqësi, pylltari dhe peshkim me 3.42 për qind, industrinë përpunuese me 3.16 për qind, si dhe në sektorin e informacionit dhe komunikimit me 2.95 për qind.
Ndërkohë, rritje më e moderuar është regjistruar në tregti, transport, akomodim dhe shërbime ushqimore me 2.28 për qind, administratën publike, arsimin dhe shëndetësinë me 1.85 për qind, si dhe në industrinë nxjerrëse dhe energjinë me 1.32 për qind. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme shënuan rritjen më të ulët, prej 0.54 për qind.
Sipas ASK-së, të dhënat tregojnë vazhdimin e rritjes ekonomike në vend gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. /Buletini Ekonomik/











