Gjendja elektroenergjetike në Kosovë: Katër njësi në prodhim, dy të Kosovës A dhe dy të Kosovës B

Foto: Termocentrali Kosova B-KEK

Prodhimi i energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) aktualisht thuhet se është i bollshëm, ndërsa kompania pohon se po operon me katër njësi prodhuese, dy në Kosovën A dhe dy në Kosovën B.

Nga KEK-u njoftojnë se, pavarësisht rritjes së konsumit gjatë ditëve të ftohta, ndërmarrja është e përgatitur për prodhim konstant të energjisë elektrike, ndërsa njëkohësisht furnizon edhe Ngrohtoren e Prishtinës me rreth 20 megavat.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtari i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka bërë të ditur se aktualisht prodhimi ditor arrin rreth 17 mijë e 640 megavat-orë.

Sipas tij, KEK-u punon vazhdimisht me katër njësi dhe kapaciteti nuk mund të rritet apo zvogëlohet përtej mundësive teknike. Ai shtoi se janë kryer të gjitha përgatitjet dhe remontet e nevojshme për sezonin dimëror, ndërsa njësia B2 ka kaluar në modernizim të turbinave, çka ka rritur ndjeshëm kapacitetin e saj prodhues.

Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton se tregu i energjisë elektrike në Kosovë furnizohet aktualisht nga gjashtë kompani të licencuara, të cilat mbulojnë kategori të ndryshme të konsumatorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Këto kompani janë nën mbikëqyrjen e ZRRE-së dhe kanë obligim të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm dhe transparent.

ZRRE-ja thekson se Kosova është e ndërlidhur energjetikisht me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, përmes linjave interkonektive që shërbejnë për importe dhe eksporte të energjisë, varësisht nga nevojat e sistemit dhe kushtet e tregut.

Megjithatë, sipas ZRRE-së, interkoneksioni energjetik me Serbinë mbetet i bllokuar për transaksione komerciale, duke pamundësuar shkëmbimet tregtare të energjisë elektrike përmes këtij kufiri.

Të dhënat zyrtare vënë në pah se kjo bllokadë ka ndikuar edhe në operimin e kompanisë EFT, e cila nuk ka zhvilluar aktivitet tregtar në Kosovë që nga viti 2021, ndonëse ishte licencuar për tregtim të energjisë që nga viti 2008 dhe më pas edhe për furnizim, transit dhe përdorim të linjave ndërlidhëse.