Sasia e energjisë elektrike të tregtuar në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike është rritur gjatë vitit 2025, në raport me një vit më parë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN përgjatë vitit që sapo lamë pas, përmes këtij instrumenti u tregtuan rreth 1.95 milionë mWh energji, nga 1.25 milionë mWh që u tregtua përgjatë 2024-ës. 51% e kësaj sasie i përket zonës ofertuese të Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër Kosovës, duke treguar sasi thuajse të barabartë energjie për 2 vendet.
Sa i takon çmimit mesatar, me të cilin është tregtuar energjia, ai varion nga 90.74 euro/mWh që është çmimi më i ulët e që u shënua në muajin prill, deri në 162.75 euro/mWh, që është më i larti e që u shënua në muajin shkurt. Çmimi mesatar për periudhën 12 -mujore përllogaritet në rreth 117 euro/mWh.
Ndërkaq, ALPEX ka raportuar edhe shifrat e Tregut të Ankandeve brenda së njëjtës ditë, që nisën të zhvillohen në dhjetor 2024. Kështu, për periudhën janar – dhjetor një volum total prej gati 24.000 mWh i energjisë elektrike u tregtua në këtë treg të ALPEX-it, me një çmim klerues mesatar prej 150 euro/mWh. Referuar këtyre të dhënave rezulton se vlera e transakasione arrin në rreth 270 milionë euro, 226.5 milionë prej të cilave për tregun e ditës në avancë.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ALPEX nisi operimet në datën 11 prill 2023, teksa funksionimi i saj paraqet një sërë avantazhesh, që lidhen me çmimet konkurruese, si dhe ofron një sinjal transparent të çmimeve për investime në energji. Sfidë gjithsesi mbetet rritja e volumeve të tregtuar përmes këtij instrumenti.











