Në mbledhjen e fundit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ministrat e vendeve anëtare dhe palëve kontraktuese diskutuan çështjet kyçe që lidhen me sigurinë energjetike, integrimin e tregjeve, politikat klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, duke konfirmuar një drejtim të përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Komunitetit të Energjisë për të ardhmen energjetike të Evropës.
Komisioneri Evropian për Energji, Dan Jørgensen, vlerësoi përparimin e bërë gjatë vitit të fundit në integrimin e Komunitetit të Energjisë në tregun unik të BE-së. Sipas tij, bashkërendimi i tregjeve të energjisë (market coupling) dhe veprimet e koordinuara në fushën e klimës përbëjnë një sinjal të fuqishëm politik dhe ekonomik në kontekstin e zgjerimit të BE-së.
“Ka qenë një vit progresi për integrimin e Komunitetit të Energjisë në tregun unik të BE-së. Me reforma të vazhdueshme dhe integrim më të thellë, mund të sigurojmë një të ardhme energjetike më të sigurt, më të pastër dhe më evropiane për rajonin,” deklaroi Jørgensen.
Nga ana tjetër, Artur Lorkowski, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, theksoi se përparimi i arritur sot është rezultat i dy dekadave bashkëpunimi mes vendeve anëtare.
“Nuk ka kohë për të humbur. Peizazhi energjetik ka ndryshuar rrënjësisht dhe integrimi me tregun energjetik të BE-së para anëtarësimit është tashmë thelbësor për të garantuar një të ardhme të përbashkët, të sigurt dhe të qëndrueshme,” u shpreh Lorkowski.
Diskutimet në Këshillin Ministror ritheksuan rëndësinë e reformave strukturore, integrimit rajonal të tregjeve të energjisë dhe përputhjes me politikat klimatike të BE-së, si elemente kyçe për forcimin e sigurisë energjetike dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në rajon. (Buletini Ekonomik)









