Murati paralajmëron Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, mbështetje për studentë dhe sektorin privat

Hekuran Murati, ministër i Financave në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Qeveria Kurti 3 planifikon të miratojë Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila do të përfshihet në mesin e pesë vendimeve të para të ekzekutivit në mandatin e ardhshëm.

Sipas Muratit, përveç mbështetjes së fëmijëve dhe pensionistëve me një shtesë të njëhershme prej 100 eurosh, pakoja e re do të përfshijë edhe masa të tjera mbështetëse për kategori të ndryshme të shoqërisë.

“Qysh në fillim të mandatit të ardhshëm do të kemi edhe mbështetjen e studentëve, mbështetjen e të punësuarve në sektorin privat, si dhe rikthimin e masës për subvencionimin e atyre që kursejnë energjinë elektrike”, ka shkruar Murati.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka theksuar se këto masa synojnë të zbusin ndikimin e inflacionit dhe rritjes së çmimeve mbi qytetarët, duke vazhduar politikat mbështetëse të qeverisë.

Detaje shtesë për përfshirjen financiare dhe mënyrën e zbatimit të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 pritet të bëhen publike pas miratimit zyrtar të saj nga Qeveria.