Gjendja me energjinë elektrike në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese, me çmime të larta dhe reduktime të shpeshta, të cilat po ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e bizneseve. Në këtë kontekst, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka intensifikuar thirrjet për kursim dhe përdorim racional të energjisë elektrike.
Në një njoftim për media, ZRRE ka bërë të ditur se më 24 dhjetor 2025, Bordi i saj ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Sipas ZRRE-së, qëllimi i këtij takimi ka qenë vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, e cila tradicionalisht karakterizohet me rritje të ndjeshme të konsumit. Gjatë diskutimeve janë trajtuar sfidat kryesore me të cilat përballet rrjeti energjetik në këtë periudhë, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore, kufizimet teknike të rrjetit, nevojën për balancim ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit, si dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në kuadër të funksionimit të sistemit rajonal të energjisë.
Po ashtu, në takim është diskutuar edhe organizimi institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore, me qëllim garantimin e funksionimit të pandërprerë të sistemit energjetik. Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara kanë prezantuar kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese të ndërmarra për ruajtjen e stabilitetit të furnizimit.
ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës që të hartojnë dhe përditësojnë planet e menaxhimit të situatave, duke përfshirë skenarë të mundshëm dhe masa paraprake për raste të paparashikuara.
Në të njëjtën kohë, ZRRE u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve të kërkesës maksimale. Sipas institucionit, kursimi i energjisë kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.
ZRRE ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike në muajt në vijim.









