Kriza politike e fundit, ajo e sivjetshmja, nga shumëkush parashihet të stopojë investimet e huaja në vend, të cilat sapo kishin nisur një trend më të hovshëm në vitin 2025. Ndërkohë, çmimet e naftës vazhdojnë të jenë një nga shtytësit kryesorë të inflacionit në vend dhe domosdo një nga pengesat serioze të zhvillimit ekonomik në përgjithësi në Kosovë.
Buletini Ekonomik
Nuk ka më asnjë dilemë se kriza politike dhe vonesat enorme dhe jashtë çdo pritshmërie të formimit të institucioneve, si dhe ngritja e madhe e çmimit të naftës dhe, për rrjedhojë, edhe ngritja e çmimeve të shumë produkteve, si dhe pasojat zinxhirë të mëpastajme, edhe sivjet do ta kenë ndikimin e drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit, Kosovës. Është e ditur se çdo krizë politike e deritashme në këto vitet e pasluftës në vend ka reflektuar keq dhe me trende të tejdukshme negative në zhvillimet ekonomike në vend. Nuk ka ndodhur në këta muaj ndonjë aktivitet, as ndonjë lëvizje nga institucionet që të ndodhë ndryshe në këtë vit, me krizat e apostrofuara sipër.
Me fjalë të tjera, ekonomia e brishtë e Kosovës, e varur maksimalisht nga tregjet e jashtme, me rreth 7 miliardë euro importe dhe me më pak se një miliardë eksporte, e ka tepër të vështirë t’u bëjë ballë çmimeve egërsisht të larta të naftës pas luftërave në Lindjen e Mesme, për shkakun lehtësisht të kuptueshëm, sepse nafta dhe çmimet e saj përbëjnë koston madhore të çdo biznesi edhe në Kosovën e varfër dhe me industri thuaja të posa nisur të “marrë këmbët”.
Ekspertë dhe njohës të zhvillimeve ekonomike, duke i pasur parasysh tejzgjatjet e periudhave pa institucione dhe kohën derisa të përmbyllen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, si dhe muajt në vazhdim derisa të krijohen institucionet e dala nga këto zgjedhje, e shprehin frikën se në këtë mënyrë sivjet “do të rrezikohen drejtpërdrejt investimet e huaja”. Ndërsa druajnë edhe për rritje edhe më të shkallës së inflacionit, edhe ashtu shumë të lartë (në mars inflacioni në Kosovë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ishte 6.7 për qind, ose Kosova rangohej në vend të dytë në Europë për nga niveli i inflacionit).
Kriza politike e fundit, ajo e sivjetshmja, nga shumëkush parashihet të stopojë investimet e huaja në vend, të cilat sapo kishin nisur një trend më të hovshëm në vitin 2025. Siç dihet, Kosova, pas shumë viteve stagnimi të investimeve të huaja, gjatë vitit 2025 kishte shënuar rritjen më të madhe të investimeve të huaja direkte (IHD) në rajon gjatë vitit 2025, krahasuar me 2024-n. Sipas një përmbledhjeje rajonale të flukseve të IHD-së për vitin 2025, Kosova kishte tërhequr rreth 1.03 miliardë euro, ose me rritje vjetore prej 30 për qind. Dhe tani, pas krizës së re politike dhe mungesës së sërishme të institucioneve më të rëndësishme të vendit, jo vetëm skeptikët parashohin tkurrjen e investimeve të huaja dhe ndaljen e trendeve imponuese të këtyre investimeve në Kosovë.
Dihet se investitorët e jashtëm, për sigurinë e investimeve të tyre, në radhë të parë kërkojnë institucione stabile dhe mjedis politikisht stabil, kërkojnë përfaqësues të institucioneve të shtetit me të cilët ata mund të bisedojnë dhe mund të marrin zotimet, pse jo edhe garancitë e tyre për sigurinë e parasë së tyre që do ta investonin në Kosovë. Biznesmenë të jashtëm, saktësisht edhe ata të vendit, kërkojnë mbrojtje të parasë së tyre, që investimet e tyre të jenë të sigurta dhe të mos cenohen nga krizat dhe pasiguritë eventuale politike.
Ndërsa tani për tani, në rrethanat aktuale politike në vend, këto kërkesa nuk mund të zotohen as të përmbushen as nga institucionet në detyrë, as nga subjektet politike, të preokupuara qind për qind me zgjedhjet e pritshme. Madje, siç duket, as që i bie kujt ndërmend tani, në këto ditë, për zotime eventuale kundrejt investitorëve të huaj dhe zhvillimeve të tjera ekonomike në vend.
Po kështu, në këto rrethana, institucionet e shtetit, ato kompetente, por as subjektet politike nuk mund të bëjnë ndonjë veprim, të zhvillojnë ndonjë aktivitet të efektshëm për frenimin e ngritjes së çmimeve në përgjithësi, si pasojë e çmimeve të larta të naftës pas krizës nga luftërat në Lindjen e Mesme, të nisura në fund të muajit shkurt. Çmimet e naftës, përkundër përpjekjeve të MINT për të parandaluar ngritjen e mëtejshme të tyre, me caktimin e një marzhe fitimi përtej së cilës nuk lejohet të shkohet, mbeten shumë të larta dhe vazhdojnë të jenë një nga shtytësit kryesorë të inflacionit në vend dhe domosdo një nga pengesat serioze të zhvillimit ekonomik në përgjithësi në Kosovë.
Sepse derivatet dhe çmimet e tregtimit të tyre përbëjnë kosto bazë për çdo biznes dhe shtrenjtimi i tyre tashmë reflektohet drejtpërdrejt në transport, prodhim dhe çmime finale. Reflektimi i çmimeve të naftës tek ekonomia e vendit, te prodhuesit drejtpërdrejt, është tejdukshëm i madh kur kihet parasysh se Kosova praktikisht importon me shumicë shumë produkte, por edhe lëndë të parë. Ndërkohë, çmimi i derivateve të naftës është rritur në nivele enorme edhe në vendet ku prodhohet lënda e parë dhe ku kostot operative ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të saj.
Pas 28 shkurtit 2026, edhe prodhuesi kosovar e importon atë lëndë të parë me çmimin e ri që vendos prodhuesi i atij vendi. Prandaj, realisht, si pasojë e këtyre çmimeve të ngritura, rrezikohet konkurrueshmëria e bizneseve vendore përballë flukseve të importit, duke e kushtëzuar rënien e kërkesës për prodhimet vendore dhe, për pasojë, edhe rrezikun për reduktim të kushtëzuar të prodhimit, për mbyllje biznesesh dhe mbyllje të vendeve të punës.
Këto janë rrethanat aktuale në zhvillimet ekonomike të vendit, ndërsa për pasojat e krizës politike për mungesë të institucioneve kryesore të vendit dhe reflektimeve negative në ekonomi nuk kanë munguar paralajmërime të ekspertëve dhe të njohësve të ecurive zhvillimore. /Buletini Ekonomik/









