Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit tetor 2025, duke rritur presionin mbi sistemin energjetik dhe duke shtuar nevojën për import.
Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), konsumi total i energjisë elektrike gjatë tetorit ka arritur në 458.17 gigavat-orë (GWh), që paraqet një rritje prej gati 17 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Amvisëritë vazhdojnë të jenë konsumatori kryesor i energjisë, me 58.4 për qind të konsumit total, të pasuara nga sektori komercial me 25.7 për qind dhe industria me 11 për qind.
Në të njëjtën kohë, ASK raporton për rënie të prodhimit vendor të thëngjillit, që ka ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike. Gjatë tetorit janë prodhuar 616.33 mijë ton thëngjill, apo 14.8 për qind më pak krahasuar me tetorin e vitit 2024.
Si rezultat i rritjes së konsumit dhe rënies së prodhimit vendor, Kosova është detyruar të rrisë importin e energjisë elektrike për të përmbushur kërkesën e tregut, duke nxjerrë në pah edhe një herë sfidat strukturore të sektorit energjetik në vend, veçanërisht në prag të sezonit dimëror. /Buletini Ekonomik/









