Rritja e pagave ka kuptim ekonomik vetëm nëse ajo përkthehet në rritje të fuqisë blerëse, përndryshe rritja nominale mbetet kryesisht një rregullim në letër pa përmirësuar realisht standardin e jetesës, vlerëson ekonomisti Edison Jakurti.
Ai citon të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke theksuar se pagat në vend kanë shënuar rritje nominale si para ashtu edhe pas periudhës së COVID-19. Në 5 vitet para pandemisë (2014–2019), rritja kumulative nominale e pagës mesatare bruto ishte 18% në nivel vendi, 23% në sektorin publik dhe rreth 25% në sektorin privat. Ndërsa 5 vitet pas pandemisë (2019–2024), rritja nominale u përshpejtua dukshëm, duke arritur rreth 29% në sektorin publik dhe 45% në sektorin privat.
Megjithatë, Jakurti thotë se kur pagat shihen në terma realë, të shprehura në euro të vitit 2024, pamja ndryshon: në sektorin privat, rritja reale ka qenë e ngjashme para dhe pas pandemisë (18-19%), ndërsa në sektorin publik, rritja reale ka qenë vetëm 5% pas 2019, krahasuar me 18% në periudhën 2014–2019. Kjo tregon se inflacioni ka konsumuar një pjesë të madhe të rritjes nominale të pagave, duke kufizuar përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Jakurti thekson se për të pasur një efekt real ekonomik, rritja e pagave duhet të jetë më e madhe se ritmi i inflacionit, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga fuqia blerëse.












