Kreu i AKI-së në KOSTT: Diskutohet për forcimin e sigurisë në infrastrukturën energjetike të Kosovës

U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Shaban Neziri, ka pritur sot në takim Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Sipas njoftimit nga KOSTT, gjatë takimit u diskutua për rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të infrastrukturës vitale.

Në kuadër të vizitës, thuhet se u prezantua puna dhe roli i KOSTT-it për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, si dhe masat dhe kapacitetet që kontribuojnë në stabilitetin dhe besueshmërinë e rrjetit.

Reklama e sponzorizuar

Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale.

Komunikata nga KOSTT bën të ditur se gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit dhe cenimeve të sigurisë që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit elektroenergjetik.

“KOSTT vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike, duke siguruar reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë përballë sfidave të sigurisë”, përfundon njoftimi. /Buletini Ekonomik/