Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar opinionin publik se aktualisht po operon njëkohësisht me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke prodhuar energji me kapacitete maksimale operative dhe një prodhim bruto ditor prej mbi 20,000 MWh.
KEK thekson se në kushte të zakonshme operon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me temperatura të ulëta është angazhuar maksimalisht për të vënë në operim edhe njësinë e pestë. Si rezultat, Korporata thotë se ka arritur të operojë me pesë njësi prodhuese:
-
për 9 ditë gjatë periudhës nga 19 dhjetori 2025, përmes ndërhyrjeve të shkurtra operative, dhe
-
për 7 ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me vazhdimësi të operimit.
Ky nivel operimi është i rrallë thonë nga KEK, duke marrë parasysh moshën dhe kompleksitetin teknik të njësive ekzistuese.
Njësia A4, sipas njoftimit, ka startuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe është sinkronizuar me rrjetin në mëngjes, ndërsa rikthimi paralel dhe i suksesshëm i Njësive B1 dhe A4, KEK thotë se dëshmon kapacitetin profesional të stafit teknik dhe menaxherial të KEK, si dhe planifikimin dhe menaxhimin efikas të proceseve operative.
Si rezultat, KEK njofton se sistemi aktualisht operon me kapacitete të plota, duke garantuar stabilitet teknik, siguri operative dhe performancë maksimale të prodhimit.
“KEK sh.a. mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe efikas, për menaxhim rigoroz të aseteve prodhuese dhe për avancimin e projekteve strategjike të modernizimit, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit afatgjatë të sektorit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/









