‘Amnistia’ e ZRrE-së ndaj KESCO-s e KEK-ut i rriti kostot për ‘shërbimet ndihmëse’ për 137% në vitin 2025

Me tarifat aktuale të energjisë elektrike, konsumatorët e rrymës në Kosovë janë duke paguar edhe për dështimet e institucioneve në mbikëqyrje të sektorit. Kostot për ‘shërbimet ndihmëse’ në vitin 2025 u rritën për 137 për qind, si pasojë e neglizhencës në mbikëqyrje dhe mungesës së dënimeve ndaj operatorëve që shkaktuan devijime në rrjetin elektroenergjetik.

Agon Sinanaj

Një “amnisti” disavjeçare e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ndaj KESCO-s dhe KEK-ut, lidhur me devijimet e shkaktuara në rrjetin elektroenergjetik, ka bërë që kostot për balancim të sistemit të rriten për 137 për qind në vitin 2025.

Nga 18.7 milionë euro sa ishte parashikimi në vitin 2024, kostot për shërbime ndihmëse që u ngarkuan sivjet në tarifa kanë arritur në 43.12 milionë euro.

Në mungesë të një tregu funksional të balancimit dhe neglizhencës së ZRrE-së në mbikëqyrje, në Kosovë barra financiare për jo-balancat u ngarkohet konsumatorëve në tarifa.

Hulumtimi disamujor i Buletinit Ekonomik zbulon se rritja enorme e kostove për këtë kategori, erdhi në masë të madhe për shkak të neglizhencës së ZRrE-së në mbikëqyrje dhe mungesës së shqiptimit të gjobave ndaj operatorëve që i shkaktuan devijimet.

Vetëm gjatë muajit janar 2026, në dy raste KESCO shkaktoi devijime në rrjetin interkonektiv evropian në nivele të papara më parë. Përkundër parashikimit që e kishte, KESCO kishte nominuar më pak energji, madje rreth 260 MW në orë të caktuara.

Pra, Kosova përgjatë ditëve 13, 14 dhe 21 janar kishte tërhequr nga rrjeti interkonektiv evropian energji shumë më shumë së që kishte parashikuar. Këto quhen devijime ose jo balanca të energjisë elektrike, që kur ndodhin shpesh mund ta rrezikojnë pozicionin e Kosovës karshi integrimeve në mekanizmat ndërkombëtar të energjetikës.

Krahas KESCO-s, devijime apo jo balanca të energjisë elektrike shpesh shkakton edhe Korporata Energjetike e Kosovës. KEK-u devijimet i shkakton nga rënia e paparashikuar e blloqeve, ose në rastet kur mbiprodhon, duke shtuar më shumë energji në rrjet.

Nga hulumtimi del se edhe KESCO edhe KEK-u, në shumë raste shkaktojnë devijime edhe me qëllim. KESCO, sepse duke e parashikuar më pak konsumin, i shmang blerjet e energjisë elektrike nga importi për atë ditë, duke ia lënë “barrën e importit” KOSTT-it, por tash si devijim. Nga kjo, sipas gjetjeve nga hulumtimi, KESCO përfiton në dy kahje: e para sepse fatura që i vjen për devijimet është më e lirë se “fatura” sikur të kishte blerë energji nga importi; dhe e dyta, nga kjo KESCO përfiton edhe në kohë, duke ia vonuar pagesat e faturave KOSTT-it për devijimet që ka shkaktuar. Rreth 20 milionë euro është aktualisht borxhi i KESCO-s ndaj KOSTT-it.

Në anën tjetër, KEK-u rastet kur shkakton devijime me qëllim janë kur shton në sistem më shumë energji se që ka nominuar një ditë më herët. Në këto raste, KEK për këtë energji si mbiprodhim, paguhet me çmim të bursës, që është katërfish më e shtrenjtë se çmimi i fiksuar prej 29.50 euro për megavat/orë për energjinë që e shet për KESCO-n.

Devijime jo pa ndikim shkaktojnë edhe prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Edhe këto për shkak të rregullativës ligjore që i favorizon në raport me konsumatorët, KOSTT është e obliguar t’ua blejë edhe energjinë elektrike si devijim.

“Faturën” e neglizhencës institucionale po e paguajnë konsumatorët

Në fund, “faturën” më të shtrenjtë për këto devijime e paguajnë konsumatorët e rrymës. Konkretisht, në tarifa çdo vit ngarkohen ato që njihen si kostot për “shërbimet ndihmëse” apo energjia që blihet për balancim të sistemit. Marrëveshja e kyçjes me ENTSO-E e obligon Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të siguruar këtë energji për balancim. Këtë energji KOSTT e ‘rezervon’ në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe është paraparë vetëm për balancim të sistemit në kohë reale me rastin e rënies së blloqeve.

Mirëpo kjo kosto që ngarkohet në tarifa ka shkuar duke u rritur ndër vite për dy arsye kryesore: përveç rritjes së çmimit të energjisë elektrike, rritja ka ndodhur edhe për shkak të dështimit të ZRrE-së në mbikëqyrje të sektorit. Sa më shumë devijime që shkaktojnë operatorët e Kosovës në rrjetin interkonektiv evropian, aq më shumë rritet presioni i ENTSO-E ndaj KOSTT-it për t’i rritur kostot për balancim.

Sa i përket shërbimeve ndihmëse, ZRrE ka parashikuar një rritje jashtëzakonisht të lartë të këtyre kostove për vitin 2025. Konkretisht, krahasuar me shpenzimet e realizuara në vitin 2024 (24.7 milionë euro) dhe kostot e lejuara nga ZRRE për të njëjtin vit (18.17 milionë euro), propozimi i ZRRE-së për vitin 2025 arrin në 43.12 milionë euro, një rritje prej rreth 137%.

Kështu, kapaciteti i rezervës automatike është rritur nga ±25 MW në ±40 MW. Ndërsa rezerva manuale (mFRR) për vitin 2025 është kontraktuar me KESH-in me kapacitete prej +196 MW (lart) dhe -50 MW (poshtë) për një shumë totale prej 14.62 milionë euro, që paraqet një rritje prej 63% krahasuar me vitin paraprak.

Nga dokumentet që ka siguruar Buletini Ekonomik, shihet se KOSTT në vazhdimësi e njofton ZRrE-në për operatorët ‘problematik’ që shkaktojnë devijime. Sipas nominimeve që operatorët i dërgojnë në KOSTT, vërehet se KESCO është një nga operatorët që shkakton devijime të vazhdueshme duke e parashikuar/nominuar konsumin gabim, si në dy rastet e muajit janar.

Por, përkundër se është e njoftuar në vazhdimësi nga KOSTT përmes email-eve, ZRrE, e cila e ka në mandat edhe shqiptimin e gjobave, ndër vite e ka toleruar këtë sjellje të operatorëve.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit lidhur me rritjen kaq të madhe të kostove për shërbime ndihmëse. Buletini Ekonomik është interesuar të dijë nëse ZRrE ka shqiptuar gjoba ndaj operatorëve, për të frenuar devijimet në rrjetin elektroenergjetik.

Në uebfaqe të këtij institucioni ekziston vetëm një raport i monitorimit i vitit 2021 për çështjen e devijimeve. Në këtë raport, ZRrE rendit arsyet se pse i kishte shqiptuar gjobë KESCO-s për devijimet e shkaktura aso kohe. Por nga ajo kohë, nuk ka asnjë dokument publik tjetër, përkundër devijimeve enorme të shkaktuara viteve të fundit nga operatorët.

Nga ana tjetër, KOSTT në adresimet e mëhershme për media ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren hapa, devijimet e shpeshta mund ta rrezikojnë integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të energjetikës.

Aktualisht, Kosova ka vetëm Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E, organizatën evropiane që përfaqëson operatorët e sistemeve të transmetimit. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova është shkëputur nga Serbia në sektorin e energjetikës, duke iu bashkuar bllokut të përbashkët me Shqipërinë. Marrëveshja e Kyçjes nuk përbën anëtarësim të plotë, por një fazë testuese drejt integrimit të plotë në mekanizmat evropianë të energjetikës. Sa më shumë devijime (jo-balanca) që shkaktojnë operatorët nga Kosova në rrjetin interkonektiv evropian, aq më shumë rrezikohet kjo marrëveshje, deri në përmasa që mund të çojnë edhe në përjashtim.

Tashmë për këtë rrezik ka alarmuar dy herë radhazi edhe KOSTT.

“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhej në njoftimin e KOSTT.

Në paralajmërimin e KOSTT, u tha se në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, “KOSTT detyrohet të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.”

Kosova pa treg të balancimit të sistemit

Sipas ekspertëve me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, një problem në menaxhimin e devijimeve në rastin e Kosovës mbetet mungesa e një tregu funksional të balancimit. Kosova nuk ka burime të diversifikuara për prodhim të energjisë elektrike, çka përbën një mangësi në këtë drejtim. Termocentralet nuk janë shumë të përshtatshme për balancim për shkak të kohës që u duhet në ndezje. I vetmi opsion, tani për tani, mbetet ndihma nga Shqipëria, për shkak të hidrocentraleve që shihen shumë më të përshtatshme për balancim.

Në kaudër të shërbimeve ndihmëse për balancim, KOSTT i ka në dispozicion rezervën automatike dhe atë manuale, që i kontrakton përmes KESH-it të Shqipërisë. Rezerva automatike është energjia rezervë që aktivizohet automatikisht brenda disa sekondave sa herë që ka luhatje të frekuencës në rrjetin elektroenergjetik. Ajo shërben për korrigjimin e menjëhershëm të devijimeve të vogla, por të shpeshta dhe stabilizimin e frekuencës standarde 50 HZ. Rezervën automatike, KOSTT e  siguron përmes OST-së së Shqipërisë, e cila pastaj e kontrakton këtë shërbim nga KESH-i.

Ndërsa, rezerva manuale është energjia rezervë që aktivizohet, kur devijimet janë më të mëdha ose që zgjasin më gjatë dhe nuk mund të menaxhohen vetëm me rezervën automatike. Zakonisht, rezerva manuale shfrytëzohet me rastin e rënies së blloqeve dhe vlen deri në 4 orë pas rënies së bllokut. Rezervën manuale, KOSTT e kontrakton me tender publik, por që vazhdimisht e fiton KESH-i i Shqipërisë në mungesë të ofertuesve.

Në gjuhën e sektorit, ky proces njihet si balancim i frekuencës. Balancimi i frekuencës është procesi përmes të cilit ruhet frekuenca e rrjetit elektroenergjetik në nivelin standard 50 Hz (herc), që është kushti bazë për funksionimin normal dhe të sigurt të sistemit elektrikenergjetik në gjithë Evropën. Frekuenca luhatet sa herë që prodhimi i energjisë elektrike nuk përputhet me konsumin. Nëse konsumi është më i madh se prodhimi, frekuenca bie; nëse prodhimi është më i madh se konsumi, frekuenca rritet. Çdo devijim i vazhdueshëm nga standardi 50 Hz rrezikon stabilitetin e rrjetit dhe e ekspozon Kosovën në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë.

Sipas një raporti të Institutit për Politika Zhvillimore INDEP, energjia për balancim që po kontraktohet nga KESH, del të jetë shumë e shtrenjtë, dhe me impakt të madh në çmimin final për konsumatorët. INDEP vëren se mungon transparenca për procesin tenderues për kontraktimin e këtyre shërbimeve nga KESH-i i Shqipërisë.

“Kjo mungesë transparence dhe e analizës konkurruese ngre dyshime për efektivitetin e procesit të prokurimit dhe për potencialin e ngarkimit të konsumatorëve me kosto më të larta sesa ato që mund të arriheshin në një treg më konkurrues”, thuhet në raportin e INDEP me titull “Analizë e raporteve konsultative të ZRrE-së për vitin tarifor 2025”. /Buletini Ekonomik/

 

Shënim:

Reklama e sponzorizuar

Ky publikim është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

(Infografikat janë gjeneruar me ndihmën e AI, në kuadër të projektit “Fuqizimi i gazetarisë ekonomike përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale”)