Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përmendur disa prej gjetjeve kryesore të hulumtimit të Buletinit Ekonomik për importin e energjisë elektrike për Kosovën, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos, ku po merr pjesë bashkë me kryeministrin Kurti.
Rizvanolli ka akuzuar Serbinë se ka bllokuar linjën e saj për Kosovën, duke krijuar kështu ngarkesë në linjat tjera prej nga importon Kosova energji elektrike.
“Serbia refuzon të alokojë kapacitete, për të lejuar tregti në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndikimi i kësaj është shumë i dukshëm dhe shumë i rëndë, sepse krijon ngarkesë në linjat tona të tjera të transmetimit. Si rezultat i kësaj, vitin e kaluar ka pasur orë të caktuara kur çmimi i kapaciteteve ndërkufitare ka shkuar deri në 800 euro për MWh”, ka thënë Rizvanolli në një debat të organizuar për energji në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Sipas Rizvanollit, me 16 dhjetor 2025, në Këshillin Ministror të Komunitetit të Energjisë është marrë një vendim që e obligon Serbinë të lejojë tregtinë deri më 1 korrik 2026, gjë që sipas saj, kjo do të ketë “ndikim të drejpërdrejtë në çmimet e rrjedhave ndërkufitare të energjisë elektrike dhe në sigurinë tonë energjetike”.
Kjo është hera e dytë që Rizvanolli iu ka referuar gjetjeve të hulumtimit të publikuar në Buletini Ekonomik vitin e kaluar për importin e energjisë elektrike.
Hulumtumi zbardhë një skemë të tregtarëve të energjisë që kishte cak Kosovën, të cilët dyshohen se manipuluan tregun përmes linjave të transmisionit, duke ngritur kostot për bartje të energjisë deri në 800 euro për megavatë orë.
Përmes NOA-s, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë









