Rizvanolli: Dy njësi të KEK-ut pritet të kthehen në operim sonte

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se aktualisht janë në operim tri njësi të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK): B1, A4 dhe A5, ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara pa ndërprerje, në tri ndërrime, për rikthimin në operim të njësive B2 dhe A3.

Sipas ministres, nga menaxhmenti i KEK-ut është njoftuar se këto dy njësi pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes së sontme.

Ajo ka theksuar se gjatë kësaj periudhe të ftohtë, kur kërkesa për energji është e lartë, pritet që KEK-u të operojë me pesë blloqe, ndonëse kjo paraqet një sfidë të madhe teknike.

Reklama e sponzorizuar

Rizvanolli ka vlerësuar punën e Termocentralit “Kosova A”, i cili ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë rresht, nga 19 dhjetori e deri më sot. Ajo shtoi se për krahasim, gjatë 25 viteve të fundit, KEK-u ka punuar me pesë njësi vetëm 55 ditë në total.

Ministrja ka kërkuar angazhim dhe përgjegjësi maksimale nga menaxhmenti dhe punonjësit e KEK-ut për të rikthyer dhe mbajtur në operim të gjitha njësitë gjatë muajve të dimrit. Ajo ka theksuar se furnizimi i rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit është parakusht kyç për funksionimin e pandërprerë të termocentraleve.

Në fund, Rizvanolli ka falënderuar punonjësit e KEK-ut për përkushtimin e tyre në kushte të vështira dhe ka ftuar qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht në këtë periudhë me kërkesë të lartë, për të kontribuar së bashku në sigurinë energjetike të vendit./Buletini Ekonomik/