Një termocentral 500 megavatësh, prioritet mbi prioritetet e Qeverisë Kurti 3

Mehmet Gjata

Pse do të duhej të jetë prioritet mbi prioritetet e Qeverisë së ardhshme nisja urgjente e ndërtimit të një termocentrali të ri 500 megavatësh në vend, nëse bëhet një renditje e prioriteteve zhvillimore që do të duhej t’i kishin autoritetet e ardhshme? Pastaj, sipas shumë njohësve të ecurive zhvillimore, do të vinte realizimi i unazës së kryeqytetit dhe si e treta ndoshta do të vinte angazhimi serioz në ndërtimin e hekurudhës (pjesës tonë) që ndërlidh Kosovën me Shqipërinë.

Mehmet GJATA

Në muajt e parë pas luftës së fundit, kur Kosova ballafaqohej me dëme kolosale të shkaktuara nga agresioni serb dhe kur vendit i mungonte shumëçka, edhe energjia elektrike në masë të ndjeshme, njohës të zhvillimeve ekonomike dhe analistë të sektorit ekonomik parashihnin si domosdoshmëri dhe prioritet mbi prioritetet e autoriteteve të ardhshme të Kosovës realizimin sa më urgjent të tri projekteve zhvillimore, të vlerësuara si më të rëndësishmet për mëkëmbjen e vendit.

Reklama e sponzorizuar

Së pari parashihej si domosdo ndërtimi i një termocentrali të ri, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe pamundësisë për të gjeneruar prodhimin e nevojshëm nga termocentralet e amortizuara dhe të stërvjetëruara të KEK-ut (atëherë akoma me emërtimin Elektroekonomia e Kosovës). Projekti tjetër, po kështu me rëndësi të veçantë për zhvillim më të shpejtë të Kosovës, parashihej ndërtimi i autostradës Kosovë–Shqipëri (Rrugës së Kombit), dhe projekti i tretë, i paraparë si shumë i domosdoshëm për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, ishte realizimi sa më i suksesshëm i procesit të privatizimit në vend.

Dhe tani, 26 vjet më pas, Kosova ka ndërtuar me sukses – mund të thuhet – Rrugën e Kombit, pjesën brenda territorit të vet, ka realizuar në masë të madhe procesin e privatizimit (tashmë ka mbetur fare pak për t’u privatizuar), me shumë dështime dhe keqpërdorime, dhe ka mbetur pa u nisur fare tash e 26 vjet termocentrali i parashikuar si “shpëtimtar” dhe projekt që do të garantonte për shumë dekada të ardhshme sigurinë elektroenergjetike të Kosovës.

Në këto vite pati shumë ide, vizione dhe “ëndrra” për kapacitetet e mundshme të termocentralit të dëshiruar (herë 500 megavatë, herë 600, në një periudhë u shtrua edhe ideja për ndërtimin e termocentralit 2100 megavatësh), por ndërtimi i një termocentrali mbeti vetëm në nivelin e ideve, vizioneve dhe dëshirave për të pasur energji elektrike të bollshme për konsumin e Kosovës.

Tani, edhe në këtë dimër, kur konsumi është rritur në përmasa frikësuese dhe kur prodhimi nga termocentralet e stërvjetëruara (B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3, A4 dhe A5 të Kosovës A) nuk përmbush nevojat e shtuara për energji elektrike, Kosova praktikisht gjendet në situatë alarmante. Këto ditë, shumë vendbanime të Kosovës, me orë e ditë të tëra, janë të kapluara nga terri si pasojë e reduktimeve të tejzgjatura të furnizimit me rrymë.

Dhe e keqja e madhe qëndron në faktin se Kosova nuk ka shumë alternativa për të zgjidhur problemin e mungesës së energjisë elektrike. Alternativa thuajse e vetme mbetet importi i shtrenjtë gjatë periudhës dimërore, që ka për pasojë kosto enorme financiare për Kosovën e varfër.

Në këtë mënyrë, lehtësisht del si prioritet mbi prioritetet i Qeverisë së ardhshme, që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dihet se do të jetë Kurti 3, nisja urgjente e ndërtimit të një termocentrali të ri në vend, nëse bëhet një renditje e prioriteteve zhvillimore që do të duhej t’i kishin autoritetet e ardhshme. Pastaj, sipas shumë njohësve të ecurive zhvillimore, do të vinte realizimi i unazës së kryeqytetit dhe si e treta ndoshta do të vinte angazhimi serioz në ndërtimin e hekurudhës (pjesës tonë) që ndërlidh Kosovën me Shqipërinë.

Pse Kosova duhet ta ketë përparësi ndërtimin e një termocentrali? Përgjigjja është e thjeshtë: Kosova nuk ka energji të bollshme elektrike dhe nuk do të ketë me kapacitetet ekzistuese të amortizuara. Nuk do të ketë energji të mjaftueshme edhe po të kishim në dispozicion dhjetëra kapacitete të energjisë së rinovueshme (kapaciteteve në bazë të erës dhe asaj solare), për shkak të specifikave të prodhimit nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme.

Në favor të ndërtimit të një termocentrali 500 megavatësh, i cili do të krijonte siguri energjetike në Kosovë për disa dekada të ardhshme, flet edhe e dhëna se, përkundër varfërisë së theksuar financiare, Kosova ka potencial që brenda një pesëvjeçari, sa vlerësohet se do të zgjaste ndërtimi i termocentralit, të sigurojë pa sakrifica të mëdha një miliard euro, ose 200 milionë për çdo vit nga financat vetanake. Këtë shumë parash mund ta sigurojë Kosova edhe nëse nuk do të gjente ndonjë alternativë kredituese nga bota.

Duket shumë real dhe i realizueshëm projekt-vizioni i Luigj Imerit, ish-kreut të Korporatës Energjetike, për “ndërtimin e një njësie të re prodhuese në vazhdim të TC Kosova B, Kosova B3, me kapacitet rreth 500 megavatësh, që paraqet zgjidhjen më ekonomike dhe më të qëndrueshme për vendin”, për mendimin e shumëkujt dhe të ekspertëve të shumtë të energjetikës në vend. Ky termocentral do të ishte zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar domosdo krizën elektroenergjetike në Kosovë.

Sipas Imerit, termocentrali Kosova B3 mund të realizohet duke shfrytëzuar projektin ekzistues të zhvilluar nga General Electric (GE) për “Kosovën e Re”, i cili tashmë është pronë e Republikës së Kosovës dhe, si i tillë, nuk ka nevojë për projektim të ri, duke kursyer kohë, mjete financiare dhe duke shmangur vonesa administrative.

Më pas, Imeri ka elaboruar edhe aspektin financiar të projektit të paraqitur si vizion. Sipas tij, kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet rreth 1 miliard euro, ndoshta edhe më pak, për shkak të shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese (lokacioni, lidhjet me rrjetin, uji ftohës, transporti i linjitit). Ndërsa ka paraparë që “projekti mund të financohet drejtpërdrejt nga buxheti i Republikës së Kosovës, i shpërndarë në një periudhë 5-vjeçare, me një ngarkesë vjetore jo më shumë se 200 milionë euro, nivel ky i përballueshëm për financat publike”.

Ndërsa përfitimet strategjike me realizimin e njësisë B3 të termocentraleve Kosova B do të ishin: rritja e ndjeshme e sigurisë nacionale energjetike, duke reduktuar varësinë nga importi; stabilizimi dhe ruajtja e kostos së energjisë për qytetarët dhe ekonominë vendore; si dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm për zhvillim industrial dhe investime të reja.

Imeri ka parashikuar në vizionin e tij edhe aspektin mjedisor të këtij projekti, duke shtuar se “falë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të djegies së linjitit, ndikimi ambiental do të jetë dukshëm më i ulët krahasuar me njësitë ekzistuese, do të jetë në përputhje me standardet moderne evropiane për emetimet, dhe do të ishte një hap tranzitor realist drejt një sistemi më të gjelbër energjetik. Me fjalë të tjera, TC Kosova B3 nuk është vetëm një projekt energjetik, por një investim strategjik shtetëror që garanton siguri, stabilitet ekonomik dhe mbrojtje sociale për qytetarët e Kosovës, duke shfrytëzuar maksimalisht asetet që shteti tashmë i zotëron”.

500 megavatë plus energji do të ishte një zgjidhje e mirë, realisht e mundshme, goxha e shpejtë dhe, ç’është me rëndësi, projekti do të mund të ndërtohej deri në përmbyllje me mjete financiare të vendit. Por, njësia B3 me kapacitet 500 megavatësh do të valorizonte mundësitë e përdorimit të qymyrit si burim energjetik (Kosova ka rezerva marramendëse të qymyrit – rreth 12–13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara), i lënë anash në këto vitet e fundit në projektet zhvillimore në Kosovë nga frika e taksave të përdorimit të tij në prodhimin e energjisë elektrike dhe të ndikuar nga disa parashikime jo reale të dekarbonizimit të Kosovës, të vijëzuara edhe nga dokumente, plane e rezoluta nga asociacionet ndërkombëtare energjetike.

Kosova nuk ka pse të frikësohet nga taksa eventuale e vendosjes për përdorimin e qymyrit si burim energjetik. Edhe nëse do të vendosej një taksë e këtillë eventuale, do të ishte shumë më i lirë prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri (qoftë edhe i penalizuar, siç thamë) sesa energjia elektrike të sigurohej nga importi skajshmërisht i shtrenjtë. Fundja, për koston e importit flasin shifrat konkrete: në këto 5 vjet të qeverisjes Kurti 1 dhe 2, Kosova, sipas të dhënave, ka shpenzuar diku mbi 800 milionë euro, ose përafërsisht sa do të kushtonte ndërtimi i B3-shit 500 megavatësh.

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse me urgjencë dhe me prioritet duhet të ndërtojë Kosova termocentralin “shpëtimtar”.

Ndërkohë, Unaza e Prishtinës, ose rruga qarkore e kryeqytetit, pavarësisht kush do të ndërtojë, ose në kompetenca të kujt do të jetë ndërtimi i këtij projekti (i komunës, apo Përparim Ramës, ose i Qeverisë), është shumë e rëndësishme për ta shpëtuar Prishtinën nga ngulfatja definitive e trafikut të stërngarkuar në rrugët e mbingarkuara të kryeqytetit.

Ky projekt, po të ekzistonte vullneti politik dhe këmbëngulja e udhëheqjes së deritashme prishtinase e qeveritare, do të ishte kaherë i përfunduar dhe në funksion të shkarkimit real të Prishtinës nga trafiku. Tani, kjo qarkore është bërë urgjencë dhe ndërtimi i saj është domosdoshmëri. Çdo ditë e shtyrë e nisjes së kësaj rruge do të jetë një “gur në qafë” të kryeqytetasve dhe kosovarëve në përgjithësi, prandaj hezitimet dhe “loja e ping-pongut” për fajësime ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë nuk pinë më ujë. Unaza duhet të nisë të ndërtohet urgjentisht. Të kushtojë sa të kushtojë. Për këtë projekt ka para edhe Komuna e Prishtinës, edhe Qeveria. Do të ishte mirë po t’i besohej ndonjë kompanie të huaj me renome ndërtimi i këtij projekti, për të evituar zvarritjet dhe keqpërdorimet eventuale, por edhe për të siguruar cilësinë e Unazës.

Ndërsa sa i përket hekurudhës që ndërlidh Kosovën me Shqipërinë, do të ishte mirë të realizohen sa më me korrektësi marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë, të realizohen pikë për pikë obligimet, edhe kohore, në bazë të marrëveshjes, dhe ta kemi sa më shpejt edhe këtë hekurudhë, që vlerësohet si një projekt me rëndësi për të dy shtetet shqiptare. /Buletini Ekonomik/