Sipas KEK-ut, gjatë 8 muajve të plotë, sa parashikohet të zgjatë remonti kapital i njësisë B1 të Kosovës B, do të ndërrohen elektrofiltrat dhe do të instalohet sistemi i DeNOx nga kontraktues të Bashkimit Evropian dhe do të realizohen projekti i modernizimit të turbinave, instalimi i transformatorit 1AT, ndërrimi i pjesshëm i gypave të kondenzatorit, ndërrimit i ekonomajzerit dhe SMT dhe shumë aktivitete tjera rehabilituese.
Buletini Ekonomik
Nëpërmjet Raportit për Bilancin e Energjisë Elektrike 2026, KEK ka njoftuar se njësia B1 e termocentraleve Kosova B do të ndalet më 8 prill 2026, datë kjo kur do të fillojë remonti kapital i detajizuar i këtij blloku që do të zgjatë deri më 9 dhjetor 2026. Sipas KEK-ut, gjatë kohës sa do të zgjatë riparimi kapital, përkatësisht gjatë 8 muajve të plotë do të ndërrohen elektrofiltrat dhe do të instalohet sistemi i DeNOx nga kontraktues të Bashkimit Evropian dhe do të realizohen projekti i modernizimit të turbinave, instalimi i transformatorit 1AT, ndërrimi i pjesshëm i gypave të kondenzatorit, ndërrimit i ekonomajzerit dhe SMT dhe shumë aktivitete tjera rehabilituese.
Një remont, pak a shumë i ngjashëm, por gjithsesi më i reduktuar, është bërë në vitin e kaluar në periudhën prill-tetor 2025 në B2 – njësia tjetër e Kosovës B.
Në B2 është bërë modernizimi i detajuar i turbinës dhe i disa stabilimenteve të tjera, por nuk është bërë instalimi i elektrofiltrave të ri dhe as instalimi i sistemit DeNOx. Sidoqoftë, të dy njësitë e termocentraleve Kosova B-B1 dhe B2 janë fare të ngjashme dhe kanë kapacitet të instaluar të prodhimit identik. Dihet kapaciteti i bllokut B1 të Kosova B është 260 megavatë-orë, po aq sa prodhon edhe blloku B2. Kjo do të thotë, se pas 8 prillit e deri në dhjetor të këtij viti, kur parashihet të përmbyllet riparimi kapital i B1-shit, sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të ketë 260 megavatë-orë prodhim vetanak të rrymës më pak se sa aktualisht.
Më saktësisht, gjendja elektroenergjetike në vend do të diktohet nga prodhimi i B2-shit, që po ashtu nga fillimi i majit deri në javën e parë të qershorit do të shkojë në një riparim goxha të madh 33 ditësh dhe nga prodhimi në dy-tre blloqet e Kosovës A (A3, A4 në të shumtën, dhe në raste edhe A5) me nga 130 megavatë, plus një sasi dhjetëra megavatësh nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Korporata Energjetike e Kosovës e vlerëson modernizimin e termocentralit “Kosova B”, që është në zbatim, si “një prej projekteve më të rëndësishme strategjike për sistemin energjetik të Kosovës”. Rekonstruktimi i detajuar i turbinave të Kosovës B parashihej ta ketë koston totale prej mbi 56 milion euro. Sipas KEK-ut, ky investim ka një përfitim të drejtpërdrejtë për sistemin energjetik të Kosovës.
“Ky projekt po zbatohet nga kompania prestigjioze General Electric, në partneritet të ngushtë me ekspertët dhe stafin profesionist të Kosova B, duke sjellë efikasitet të lartë dhe rritje të ndjeshme të kapaciteteve prodhuese. Rehabilitimi pritet të rrisë prodhimin nga 14 deri në 17 MW/h për njësi, ose 672 deri në 816 MW në ditë (24 orë) për të dyja njësitë prodhuese – B1 dhe B2”, thotë KEK-u.
Sipas tyre, ky vetë-implementim sjell efikasitet dhe ulje të ndjeshme të kostove.
Siç dihet, marrëveshja KEK-General Elektric për ripërtritjen e turbinave të termocentralit Kosova B, është nënshkruar në fillim të prillit 2023 (saktësisht më 7 prill 2023), dhe me këtë rast, marrëveshja ishte cilësuar shumë e rëndësishme edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili me këtë rast kishte thënë se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm. Ripërtërirja, ose modernizimi i turbinave, edhe sipas shumë inxhinierëve të KEK-ut, njohësve të rrethanave elektroenergjetike të vendit dhe ekspertëve, do të thotë zgjatje e viteve të punës të termocentralit të stërvjetruar Kosova B, më shumë energji dhe kosto më efektive.
Sipas inxhinierëve të KEK-ut, rinovimi i turbinave të Kosovës B do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 megavatë orë për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient.
“Ekspertët e kompanisë amerikane General Electric (GE), e cila para 40 vjetëve kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të Termocentralit “Kosova B”, tash po punojnë krah për krah me punëtorët e palodhshëm të KEK-ut për modernizimin e tyre, falë investimit të vetë KEK-ut në vlerë mbi 56 milionë euro”, kishte shkruar Kurti në Facebook, më 28 qershor 2025.
“Ky është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Termocentralin “Kosova B”, që nga ndërtimi i tij. Modernizimi i turbinave po bëhet për herë të parë pas më shumë se katër dekada. Me këtë investim kapital po sigurohet më shumë prodhim vendor, po rritet siguria e furnizimit dhe ulet varësia nga importi”, ripërsëriti kryeministri atëherë në detyrë.
Rinovimi i turbinave të termocentraleve Kosova B, në fakt është planifikuar që moti dhe mendohej jo vetëm ndër kuadrot e KEK-ut që kjo punë, domosdoshmërisht të bëhej që para shpërfaqjes së krizës energjetike edhe në vendin tonë. Por, siç dihet, për shkak të krizës energjetike globale të reflektuar theksuesshëm edhe në vendin tonë dhe pandemisë COVID19, ky projekt është shtyrë kushtimisht për më vonë. Sidoqoftë, rinovimi i turbinave të Kosovës B, ishte praktikisht, i kushtëzuar, dhe i domosdoshëm. Ndërkohë që Kosova, tani për tani, nuk ka zgjidhje tjetër më të mirë. Sepse, po vonohet shumë nisja e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së rinovueshme, të cilat edhe po të ishin sot të gatshme, nuk do të mjaftonin as përafërsisht për përmbushjen e nevojave të konsumit të Kosovës.
Në Kosovë është mirëpritur ky investim, sidomos nga komuniteti energjetik. Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani evropiane që në atë kohë quhej “STEIN INDUSTRIE”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane, p.sh: Turbogjeneratori (Turbina) nga kompania “MAN” që më pas është transferuar në ALSTOM GmBH. – Gjeneratori elektrik nga kompania ALSTOM POWER SERVICE nga Franca.– Sistemi i kontrollit dhe komandës (DCS – P320) është nga kompania ALSTOM POWER SERVICE nga Franca. Dy operatorët ekonomik General Electric Power dhe Alstom Power Services edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura pasi General Electric Power ka në pronësi kompaninë Alstom Power Services.
Ndërkohë, parashikimi i vendosjes së elektrofiltrave të rinj në B1, që do të bëhet gjatë kohës sa do të zgjatë remonti kapital i këtij blloku, është i mirëpritur edhe nga ekspertët edhe në publik. Problemi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës nga oxhaqet e termocentraleve të Kosovës (edhe nga Kosova B edhe nga Kosova A) ekziston që moti, herë më i madh, herë më i vogël dhe pasojat e kësaj ndotjeje janë evidente te shëndeti i popullsisë së fshatrave nën dhe përreth termocentraleve. Dihet tashmë edhe për sëmundjet kronike te shumë banorë të fituara nga ndotja, por edhe rastet jo të pakta të kancerit ndër banorët e këtyre vendbanimeve.
Dihet, pokështu, nga evidencimet e sakta të zyrtarëve të KEK-ut, që nuk duan t’u përmendet emri në medie, për zvarritjen pafundësisht të vendosjes së elektrofiltrave të rinj në Kosova B, projekt i inicuar që nga viti 2019, për çka BE-ja kishte dedikuar diku mbi 76 milionë euro. Autoritete kompetente të KEK-ut, që duan të mbesin anonimë, i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se KEK-u kaherë është fare i gatshëm që të nis ky projekt. Me kohë KEK-u, sipas tyre, i ka përmbushur të gjitha kërkesat (gjithsesi, nuk ishin pak) e shtruara disa herë deri më tash nga BE-ja si autore e financimit të projektit, por, gjithnjë thuaja në secilin vit që nga 2019-ta, është gjetur një shkas, apo arsye, për ta zvarritur nisjen e projektit “për vitin tjetër”.
Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyrë për të filluar në vitin 2023. Pastaj, nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për vitin 2024. Në vitin e kaluar u bë shtyrje e sërishme, duke e paraparë 20 prillin e 2025-të si vit të nisjes së domosdoshme të realizimit të projektit, dhe prap nuk u bë nisja e punëve për vendosjen e elektrofiltrave të shumëpritur. Realizimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave të ri, është i ndërlikuar dhe kompleks, prandaj edhe kërkon një kohë relativisht të gjatë për ta bërë këtë punë. Vlerësohet nga inxhinierët e këtushëm se për ta bërë vendosjen e elektrofiltrit në njërin bllok të Kosovës B, nevojitet kohë 6 deri në 9 muaj. Për këtë shkak, është paraparë që brenda një viti të bëhet ndërrimi i filtrave në njërin bllok, dhe në vitin tjetër vijuar, në bllokun tjetër. E gjithë kjo me qëllim që të mos ndihet në përmasa të mëdha mungesa e energjisë elektrike, për shkakun e ndërprerjes së punës së njërës njësi të Kosovës B, përderisa të zgjatë ndërrimi i filtrave. Me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar. /Buletini Ekonomik/








