KEK: Blloku B2 me remont të sërishëm 33 ditësh do përgatitet për punë të gjatë pasi të ndalet njësia B1

Termocentrali Kosova B- Buletini Ekonomik

Në Raportin për Bilancin e Energjisë Elektrike 2026, KEK-u ka sqaruar se “njësia B2 do të ndalet më datë 2 maj 2026 për një periudhë prej 33 ditësh, ose deri me datën 3 qershor, për t’i instaluar rotorët e pompave furnizuese dhe për të intervenuar në pajisje dhe sisteme sipas planifikimit të remonteve për përgatitje të njësisë për punë të gjatë pas ndaljes së njësisë B1.

Buletini Ekonomik

KEK-u, siç dihet, kohë më parë kishte bërë publike (sipas një draft-plani për vitin 2026, të cilin KEK-u ia ka dorëzuar ZRRE-së) se në muajin mars, më saktësisht nga 4 marsi deri më 7 prill, planifikon që ta dërgojë në riparim, që do të thotë ta heq nga funksioni për 30 e sa ditë njësinë B2 të Termocentralit Kosova B.

Reklama e sponzorizuar

Në ndërkohë, më saktësisht pas paralajmërimeve të ZRRE-së se realizimi i remontit goxha të gjatë, gjatë tërë muajit prill do të rrezikonte furnizimin me energji elektrike të konsumit të vendit, punët remontuese në bllokun B2 janë shtyrë për në maj. Eshtë e ditur se në mars, në Kosovë, me klimën tipike kontinentale, mbretërojnë rëndom ende temperatura të ulëta, madje të ftohta në shumë ditë, që do të thotë se ende ka ngarkesa në rrjetin energjetik dhe largimi jashtë prodhimit të njësisë B2 me kapacitetin 260 megavatë/orë, do të ketë po kaq megavatë energji elektrike mangut. Dhe, natyrisht me këtë sasi të munguar të rrymës siguria e furnizimit me energji elektrike e vendit rrezikohet domosdo.

Nisjen e këtij remonti nga KEK-u, në kohën kur ka ngarkesë dhe kur ka edhe operim paralel të “Termokosit” për nevoja të ngrohjes qendrore, e kanë kualifikuar si të papranueshme në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Prandaj, ZRRE-ja ka kërkuar që remonti i paralajmëruar të zhvendoset në muajin maj apo në një periudhë tjetër, me kushtin që të mos komprometohet siguria e furnizimit me energji elektrike. Dhe, pas ndryshimeve të afateve të remontit, punët në njësinë B2 do të fillojnë më 2 maj e do të zgjasin deri më 3 qershor të këtij viti.

“B2 – Njësia do të ndalet më datë 2 maj2026 për një periudhë prej 33 ditësh, pra deri më 3 qershor 2026 për t’i instaluar rotorët e pompave furnizuese dhe për të intervenuar në pajisje dhe sisteme sipas planifikimit të remonteve për përgatitje të njësisë për punë të gjatë pas ndaljes së njësisë B1”, thuhet në Draft-Bilancin e Energjisë për 2026-n.

Duhet rikujtuar se Buletini Ekonomik ka pyetur në KEK saktësisht para tre javëve pse parashihet të shkojë në remont blloku B2, kur dihet se në këtë termocentral janë bërë remonte të thella, duke modernizuar maksimalisht turbinat, janë bërë ndërhyrje riparuese të detajuara edhe në stabilimente të tjera të këtij blloku, por sot e kësaj dite Buletini Ekonomik nuk ka marrë përgjigje nga KEK-u.

Ndërsa në Raportin për Bilancin e Energjisë Elektrike 2026, KEK-u ka sqaruar se “njësia B2 do të ndalet më datë 02.05.2026 për një periudhë prej 33 ditësh, ose deri më datë 03.06.2026 për t’i instaluar rotorët e pompave furnizuese dhe për të intervenuar në pajisje dhe sisteme sipas planifikimit të remonteve për përgatitje të njësisë për punë të gjatë pas ndaljes së njësisë B1. Ndërsa, me rastin e rikthimit në operim pas remontit gjashtëmujor të B2-shit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës ato ditë, Albin Kurti, gjatë një vizite të bërë në termocentralin “Kosova B” (në fillim të tetorit të 2025 tës, kur u rikthye në prodhim B2 pas përmbylljes së punimeve gjashtëmujore të modernizimit të këtij blloku), kishte thënë se “ky projekt paraqet një ndërhyrje të thellë teknike dhe inxhinierike, që ka transformuar njësinë e prodhimit në një sistem shumë më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt”.

Me rehabilitimin e B2-shit, kapaciteti prodhues në këtë bllok, siç u tha, është rritur për rreth 35 MW, pa asnjë ndryshim në parametrat bazë të funksionimit, efiçienca e sistemit është rritur ndjeshëm, falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës, që tash garanton prodhim më të madh me më pak konsum energjie të brendshme. Po kështu, siç u tha nga autoritetet, konsumi i thëngjillit është ulur nga 1.3 tonelata në 1.15 tonelata për megavat, duke dëshmuar përmirësim të dukshëm në procesin e konvertimit të energjisë, ndërsa për të njëjtën sasi të megavatëve të prodhuar, ka ndotje më të ulët, falë përdorimit më efikas të lëndës djegëse. Dhe është e rëndësishme se jetëgjatësia e njësisë është shtuar për rreth 20 vjet, ndërsa cikli i mirëmbajtjes së pajisjeve të reja është shtyrë nga 6 në 9 vjet, një përmirësim që do të kursejë miliona euro në mirëmbajtje dhe do të garantojë stabilitet më të madh afatgjatë.

Në komunikatën e KEK-ut thuhej se “pas rreth 6 muajsh të rehabilitimit (riparimit dhe modernizimit të turbinave dhe stabilimenteve të tjera), është rikthyer mbrëmë (e diel, 28 shtator 2025) në prodhim blloku B2 i termocebntraleve Kosova B”. Me këtë rast, në njoftimin e KEK-ut vlerësohej si “një arritje e rëndësishme dhe historike për sistemin energjetik të vendit kthimi në operim i njësisë B2 dhe se modernizimi i turbinës ka rritur dukshëm kapacitetet prodhuese”. /Buletini Ekonomik/