Për rekordet negative të investimeve kapitale dhe për rënien e tyre në tre-katër vjetët e fundit, në të gjitha rastet, duhet adresuar fajin te qeveria Kurti2, ministrat e saj, të cilët premtuan shumë dhe realizuan pak. Qeveria aktuale thjesht nuk është shquar për ndonjë investim mbresëlënës, as për shifra imponuese të investimeve kapitale.
Mehmet GJATA
Kosova, praktikisht në të gjitha mandatet qeverisëse pas çlirimit dhe pas pavarësisë ka dështuar ndjeshëm dhe dhimbshëm të përmbushë synimet dhe vizionet në investimet kapitale. Dështimet në investime në Kosovë, nuk kanë ndodhur vetëm më 2025 dhe më 2024, as vetëm në mandatin e Qeverisë Kurti2, por kanë ndodhur thuaja në të gjitha vitet që nga paslufta. Por, për rekordet negative të investimeve, por edhe për rënien e tyre në tre-katër vjetët e fundit, në të gjitha rastet, duhet adresuar fajin te qeveria Kurti2, ministrat e saj, të cilët premtuan shumë dhe huqën edhe më shumë.
Qeveria aktuale thjesht nuk është shquar për ndonjë investim mbresëlënës, as për shifra imponuese. Përkundrazi, investimet, edhe ato, të jashtme, edhe kapitale, edhe në sektorin privat kanë qenë minimaliste dhe nën investimet e shteteve të rajonit, madje edhe nën ato që kanë popullsi të përafërt me ne dhe treg pak a shumë të përafërt me tonin. Por në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Shqipëri, që na kanë mposhtur bindshëm për nga investimet, po del të kenë pasur njerëz me ide që u treguan edhe të shkathtë për të bërë projekte joshëse dhe intriguese, gjë që te ne kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë, respektivisht nuk u imponuan nga zyrtarët kompetentë, as nga vendimmarrësit.
Në Kosovë, edhe gjatë 2025 – tës, nuk pati ndonjë investim të vlerëshëm kapital, nuk u ndërtua ndonjë kapacitet prodhues as industrial, që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Nuk u realizuan parashikimet investive në energjetikë, sidomos në ndërtimin e kapaciteteteve të planifikuara dhe në njëfarë mënyre të nisur të energjisë së rinovueshme. Që në pranverë të 2023-tës është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro, ndërsa me 2024, më në fund u vendos për konzorciumin që do të ndërtonte këtë impiant solar në fushat e komunës së Rahovencit. Dhe, deri tani, kur po përmbyllet edhe muaji i dytë i 2026-tës, realizimi i projektit solar sipas ankandit të parë solar në vend, ka mbetur ende në pritje të finalizimit, përkundër nevojës shumë të madhe që ka vendi për energji elektrike.
Ka mbetur vetëm në nismë dhe sot e kësaj dite nuk dihet as për fatin e impiantit solar 100 megavatësh të paraparë të ndërtohet në tokat e KEK-ut, sado që edhe KEK-u fundja, por edhe Kosova, kanë mjete të mjaftueshme financiare për të finalizuar këto dhe shumë projekte të tjera të energjisë së ripërtritshme. Në këtë mënyrë, investimet në Kosovë, sidomos ato kapitalet, dhe ato në projekte industriale dhe energjetike, sikundër në tërë periudhën e pasluftës kanë qenë të dështuara dhe të papërmbushura në asnjë objektiv.
Në këto vite, pra nuk u ndërtua ndonjë objekt industrial, as energjetik as prodhues çfarëdo lloji qoftë, që është për t’u veçuar. Dhe vrojtuesit e vëmendshëm, dhe, sidomos përfaqësuesit e opozitës që trajtojnë dhe preokupohen më seriozisht me zhvillimet ekonomike, i kanë quajtur në shumë trajtime të tyre vite të humbura të vendit në investimet kapitale.
“Buxheti i paraparë për investime kapitale për vitin 2025 është 931 milionë euro, në gjashtë muajt e parë të vitit që shkoi janë realizuar vetëm 243 milionë euro, prej të cilave 105 milionë euro janë realizuar nga ana e komunave”, ka ripërsëritur sa e sa herë shifrat e dështimeve te investimet kapitale në vitin e kaluar nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila është e njohur për zërin kritik dhe të ashpër kundër qeverisë Kurti.
Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Avdullah Hoti, duke analizuar disa çështje e vërejtje të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN) nga misioni dyjavor mbikëqyrës në Kosovë, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “mungesa e investimeve publike për vite me radhë, duke i lënë përgjysmë tash e pesë vite të gjitha arteriet kryesore të infrastrukturës rrugore, e ka kufizuar rritjen ekonomike”.
Kjo, sipas Hotit ka nënkuptuar se qindra miliona euro i kanë munguar ekonomisë për shkak të mosrealizimit të projekteve kapitale, duke shkaktuar pasoja multiplikuese negative në gjithë zinxhirin ekonomik. Për më tepër, hapësira fiskale në kuadër të buxheteve vjetore për projekte të reja ka mbetur pothuajse zero, pasi projektet ekzistuese të papërfunduara është dashur të përfshihen në buxhet vit pas viti. Kjo e ka pamundësuar “lirimin e hapësirës në buxhet për projekte të tjera”.
Hoti ka thënë se “është harruar plotësisht infrastruktura hekurudhore, që është vitale për të ulur kostot e transportit dhe për të mbrojtur rrugët dhe autostradat nga dëmtimi. Jo vetëm që nuk janë ndërtuar linja të reja hekurudhore, por edhe linjat ekzistuese nuk janë mirëmbajtur dhe funksionalizuar. Njëra nga këto linja, ajo që lidh Klinën me Prizrenin, pothuajse ka dalë nga funksioni për shkak të disa intervenimeve të vogla që kanë munguar tash e sa vite”. Por Hoti harron të përmend fakte se edhe në vitet e mëhershme, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale në infrastrukturë, e sidomos në infrastrukturën hekurudhore. Hiç vitet 2012 dhe 2013 kur është përmbyllur autostrada “Ibrahim Rugova” dhe pesë vjet më vonë kur ka ndodhur finalizimi i autostradës Prishtinë – Shkup, realisht, nuk ka pasur ndonjë investim tjetër për t’u përmendur në infrastrukturë, as për të ndërtuar ndonjë projekt industrial, prodhues apo energjetik, që do të gjeneronte vende të reja pune, por edhe të ardhura aq të nevojshme për Kosovën e varfër.
Edhe në vitet e mëhershme, sipas një raporti hulumtues të publikuar të GAP-it, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale (më 2014 -24 për qind, më 2015-25 për qind, më 2017 – 20 për qind, më 2018-26 për qind, më 2019-16 për qind, më 2020 11 për qind, më 2021- 19 për qind dhe me 2022 vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit, siç u potencua në shumë raporte të publikuara gjatë vitit të shkuar).
Ndërkohë, në vitin 2024 për investime kapitale në Kosovë është shpenzuar vetëm 36 për qind nga mjetet e parapara. Në projektbuxhetin për vitin 2025, Qeveria kishte planifikuar gati 930 milionë euro për investime kapitale, por as në këtë vit buxheti i planifikuar nuk u shpenzua as përafërsisht. Kurse, të gjithë ekspertët, edhe njohës të mirë të zhvillimeve në sektorin e investimeve në Kosovë flasin se edhe në rrethanat e varfërisë në Kosovë, ka mundur të bëhet shumë më shumë në përmbushjen e investimeve në tërësi, edhe në konditat e pasojave të theksueshme post-Covid, edhe në rrethanat e përqendrimit të fokusit te skemat sociale dhe në zbutjen e pasojave të krizës energjetike botërore, që tepër negativisht u shpërfaqë edhe në vendin tonë.
Qeveria aktuale me një vendosmëri më të madhe dhe më një përkushtim më serioz, gjithsesi, ka pasur të gjitha parakushtet për të nisur ndonjë kapacitet energjetik nga burimet e rinovueshme, siç u proklamua në vazhdimësi në këtë periudhë, pse jo edhe ta finalizojë ndonjë projekt të energjisë solare, ose në bazë të erës. Po të kishte më shumë vendosshmëri, vizione dhe projekte dhe nisma konkrete, mundësitë në Kosovë ishin.
Edhe Buxheti i vitit 2026 u miratua me disa muaj vonesë, dhe pasi vendi ishte detyruar ta zgjaste buxhetin e vitit të kaluar për disa muaj, për shkak të krizës politike e institucionale, i vlerësuar si buxhet i përkohshëm dhe emergjent, i paraparë të jetë 4 miliardë euro, nuk është se premton ndonjë kthesë të madhe te investimet kapitale. Në buxhetin e sivjetshëm për investime kapitale, të cilat shihen si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik, janë planifikuar 998 milionë euro, ose 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 (931 milionë euro). Në vështrim sipërfaqësor shuma e dedikuar për investime kapitale duket mbase goxha e madhe, por krahasimi me parashikimet buxhetore të vitit paraprak (2025), ose 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 tregon rritje fare të vogël buxhetore te investimet kapitale. Fundja, investimet kapitale përbëjnë vetëm 25.2% të buxhetit të përgjithshëm. Dhe, ç’është më keq, sipas një analize të Institutit GAP, 81 për qind e buxhetit të projekteve kapitale në vitin 2026 është për projektet që do të vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja mbeten të kufizuara si në numër ashtu edhe në vlerë dhe kryesisht janë projekte të vogla.
Edhe shpërndarja e investimeve kapitale, sipas GAP-it, nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak, duke nxjerrë në pah pabarazi. Duke pasur për bazë këto të dhëna, ndër analistë dhe njohës të investimeve në vend, edhe sivjet nuk do të ketë shumë shpresë për të ndryshuar favorshëm investimet kapitale në vend. /Buletini Ekonomik/











