Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt të vitit 2025 (tetor-dhjetor), sipas të cilit kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje si në baza tremujore ashtu edhe vjetore.
Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit u rrit për 0,5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025 (korrik-shtator), ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja është 3,5%.
Në bazë tremujore, rritje u regjistrua te transporti (3,5%), pagat (1,2%), kostot e tjera (1,2%), materialet (0,3%) dhe energjia (0,2%), ndërsa rënie pati te makineritë (-0,1%).
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, rritja më e madhe u shënua te energjia (9,8%), pagat (8,1%), kostot e tjera (5,3%), transporti (4,4%) dhe materialet (2,6%), kurse makineritë pësuan rënie prej 0,4%.
Sipas të dhënave, indeksi arriti në 152,3 pikë në tremujorin e katërt të vitit 2025 (2015=100), ndërsa mesatarja vjetore për vitin 2025 ishte 151,1 pikë, që paraqet rritje prej 4,4% krahasuar me vitin 2024.











