Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar ashpër ndaj vonesës së publikimit të raportit konsultativ për Përshtatjet Vjetore të të Hyrave të Lejuara Maksimale (MAR) për vitin 2026, duke paralajmëruar se çdo vendim për tarifat e energjisë elektrike, i marrë në këto rrethana, mund të jetë i pajustifikueshëm dhe ligjërisht i cenueshëm.
Sipas INDEP-it, ky raport përbën bazën kryesore për përcaktimin e tarifave të energjisë dhe mungesa e tij në prag të fillimit të vitit të ri tarifor më 1 prill e bën procesin jo transparent dhe të pamundur për një konsultim publik real.
Instituti thekson se procesi tarifor për vitin 2026 nuk është i papritur, pasi aplikimet nga operatorët kanë nisur që në janar, ndërsa cikli tarifor është i rregullt dhe i përsëritur çdo vit. Për këtë arsye, vonesa nuk mund të arsyetohet si çështje teknike apo kohore, por konsiderohet si dështim për të garantuar transparencë dhe përfshirje të publikut.
Në reagim, INDEP rikujton se Ligji për Rregullatorin e Energjisë obligon ZRRE-në të zhvillojë konsultim publik të hapur për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat, duke publikuar dokumentet përkatëse dhe duke ofruar kohë të mjaftueshme për komente.
Mungesa e raportit konsultativ, sipas INDEP-it, cenon disa parime kyçe: të drejtën për informim, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, barazinë mes palëve dhe sigurinë juridike. Pa këtë dokument, konsumatorët dhe palët e interesuara nuk kanë mundësi të analizojnë arsyetimin e ndryshimeve të mundshme të tarifave dhe të kontribuojnë në mënyrë kuptimplotë në proces.
Instituti paralajmëron se çdo vendim i marrë pa respektimin e procedurave ligjore dhe pa një konsultim të mirëfilltë publik mund të kontestohet. Po ashtu, kundërshtohet çdo vendimmarrje me efekt prapakthyes, që do të transferonte kosto tek konsumatorët pa informim paraprak.
Në fund, INDEP i bën thirrje ZRRE-së që të publikojë menjëherë raportin konsultativ për MAR 2026 dhe të sigurojë një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që vendimet për tarifat të jenë të qëndrueshme dhe të pranueshme për publikun.









