ATK: Fitimet nga lojërat e fatit duhet të deklarohen për tatim

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar se fitimet e realizuara nga lotaritë, bastet, lojërat elektronike dhe aktivitetet e ngjashme konsiderohen të ardhura të tatueshme dhe duhet të deklarohen sipas legjislacionit tatimor në fuqi.

Sipas ATK-së, ky obligim vlen për çdo person që ka përfituar nga këto aktivitete, pa marrë parasysh shumën apo formën e përfitimit.

Reklama e sponzorizuar

Institucioni thekson se fitimet duhet të raportohen si në rastet kur janë marrë në para, ashtu edhe kur janë përfituar në formë shpërblimesh.

ATK paralajmëron se mosdeklarimi i këtyre të ardhurave mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjoba dhe ndëshkime të tjera të parapara me ligj. /Buletini Ekonomik/