Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të karburanteve në Kosovë

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Kosovë, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.

Sipas njoftimit, të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregtimin e karburanteve aktualisht janë nën monitorim.

Reklama e sponzorizuar

Qëllimi i këtij procesi, sipas AKK-së, është të sigurohet mbrojtja e konkurrencës dhe të parandalohet çdo formë e marrëveshjeve të ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikat e bashkërenduara ndërmjet operatorëve në treg.

Autoriteti rikujton se çdo marrëveshje apo bashkërendim ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe mund të sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.

Në njoftim theksohet gjithashtu se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare ndryshojnë vazhdimisht, si rezultat i faktorëve të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillimet ekonomike apo gjeopolitike. Për këtë arsye, edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor pritet të reflektojnë drejtimin dhe përmasën e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, duke respektuar parimet e transparencës dhe funksionimit të rregullt të tregut.

Autoriteti u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve.

Sipas Autoritetit, procesi i monitorimit po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, me qëllim sigurimin e respektimit të plotë të legjislacionit dhe rregulloreve në fuqi në tregun e karburanteve.