Inspektorati monitoron çmimet e karburanteve, dyshime për tejkalim të marzhës te disa pika karburanti

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se është duke zhvilluar monitorim intensiv në tregun e derivateve të naftës, pas dyshimeve se disa pika të shitjes me pakicë po i shesin karburantet më shtrenjtë se kufiri maksimal i lejuar.

Ky veprim, sipas tyre, po bëhet në kuadër të zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, të nënshkruar më 4 mars 2026 nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, i cili synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, çmimi mesatar i importit për 10 mars 2026 ka qenë:

Reklama e sponzorizuar
  • Naftë (dizel): 1.45 euro për litër

  • Benzinë: 1.17 euro për litër

Ndërkohë, nga monitorimi në terren është konstatuar se çmimet e ekspozuara për konsumatorët në disa pika të shitjes janë më të larta:

  • Nafta (dizel) nga 1.44 deri në 1.54 euro për litër

  • Benzina nga 1.18 deri në 1.31 euro për litër

Vendimi i MINT-it përcakton një marzhë maksimale tregtare prej 2 euro/centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro/centë për litër për shitjen me pakicë, që nënkupton diferencën e lejuar mes çmimit të furnizimit dhe atij të shitjes.

Inspektorati ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës, do të vazhdojë analizimin e të dhënave dhe kontrollin e tregut. Në rastet kur konstatohen shkelje të vendimit apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, autoritetet kanë paralajmëruar se do të ndërmerren masa rigoroze sipas legjislacionit në fuqi. /Buletini Ekonomik/