Ministria e Financave dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), në prani të ambasadorit gjerman Rainer Rudolph, kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 81 milionë euro për të mbështetur reformat dhe përshpejtuar tranzicionin energjetik në Kosovë.
Paketa financiare përfshin kredi prej 80 milionë euro dhe grant prej 1 milion euro, të cilat synojnë të mbështesin drejtpërdrejt zbatimin e reformave në sektorin e energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se kjo mbështetje do të ndikojë në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke lehtësuar integrimin në tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe duke nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i divizionit të energjisë në KfW, Pablo Obrador Alvarez, e cilësoi këtë si programin e parë të këtij lloji për Kosovën, që plotëson mbështetjen ekzistuese dhe krijon bazë për modernizim dhe integrim të mëtejshëm të sektorit energjetik.
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe tranzicionit të gjelbër të vendit.









