Nënshkruhen marrëveshjet e granteve për industrinë kreative

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me ndërmarrjet përfituese nga “Skema e Granteve për Industrinë Kreative”.

Mimoza Kusari-Lila, ministre e MINT-it tha se mbi 1 milionë euro janë ndarë si grand për mbështetjen e sektorit privat.

Reklama e sponzorizuar

“Skema e grandeve nuk është vetëm mekanizëm financiar por edhe dëshmi e mbështetjes së qeverisë për idetë e reja. Me një shumë prej mbi 1 milionë euro ky instrument përfaqëson një partneritet të fortë dhe i jep një shtysë sektorit privat. Nga projekti me 51 përfitues, 45 janë përfitues të grantit 20 mijë, 5 janë përfitues të grandit 35 mijë euro dhe 1 është përfitues i 45 mijë eurove. 38 biznese kanë nënshkruar herën e kaluar, 13 do të nënshkruajnë sot. Po ashtu 125 vende të reja të punës do të jenë sipas projekteve të dorëzuara. Projekti përfshin investime në pajisje, teknologji dhe promovim”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ambasadori i Dukatit të Madh të Luksemburgut, Eric Dietz tha se janë të përkushtuar për përkrahjen e rritjes ekonomike në Kosovë.

“Luksemburgu me kënaqësi e ka mbështetur ministrinë në përforcimin e ekosistemit të inovacionit. Kemi punuar bashkë për të rritur kapacitetet institucionale dhe politikat që janë të rëndësishme. Luksemburgu mbetet i përkushtuar për ta përkrahur rritjen ekonomike të Kosovës. Presim me padurim të shohim ndikimin e fondit të inovacionit në vitet në vijim”, ka potencuar ai.

Përfaqësuesi Rezident i UNDP në Kosovë, Nuno Queirós tha se puna e profesionistëve ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e identitetit të Kosovës në rajon.

“Kemi bashkëpunuar me partnerët nga Luksemburgu për të përforcuar kapacitetet kulturore. Sot mbi 80 vullnetarë janë angazhuar për t’i ofruar të rinjve trajnim për një rrugëtim të gjatë në ekonominë kreative. Dje zyrtarisht filluam një program të rëndësishëm në industrinë e modës ku synojmë ti trajnojmë mbi 100 profesionistë. Të gjithë ju përfaqësoni energjinë, ambicien dhe pasurinë që ka Kosova. Puna juaj nuk e nxit vetëm zhvillimin ekonomik por edhe përforcon identitetin e Kosovës në rajon dhe më tej”, ka shtuar ai.