Paralajmërohet mbikëqyrje e rreptë e kripto-aseteve në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Këshillin e Evropës – Zyra në Prishtinë, ka organizuar një punëtori katërditore ku u diskutua forcimi i praktikave mbikëqyrëse për sektorin e kripto-aseteve dhe avancimi i kornizës ligjore që rregullon këtë fushë.

Punëtoria, e mbajtur nga 3 deri më 6 mars 2026 në kuadër të Aksionit kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik (ACEC) dhe Projektit të Përbashkët kundër Krimit Ekonomik (PECK), mblodhi përfaqësues nga BQK, Njësia e Inteligjencës Financiare e Kosovës (NjIF-K) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Institucionet pjesëmarrëse kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta në zbatimin e Ligjit për kripto-asetet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbikëqyrjen e këtij sektori në zhvillim.

Punëtorinë e hapi përfaqësuesja e projektit, Vlora Marmullakaj, e cila prezantoi qëllimin e aktivitetit dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit ekonomik, përfshirë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe zhvillimin e mekanizmave për kontrollin e kripto-aseteve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Tregjeve, Institucioneve Jobankare dhe Kripto-Aseteve në BQK, Sokol Shasivari, theksoi se zhvillimi i sektorit të kripto-aseteve kërkon forcim të vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse dhe përmirësim të kornizës rregullative në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë punëtorisë u prezantuan praktika ndërkombëtare të mbikëqyrjes dhe mjete praktike për zbatimin e një qasjeje të bazuar në rrezik. Në këtë kuadër, në ditën e parë u prezantua drafti fillestar i Manualit të Mbikëqyrjes Prudenciale për Ofruesit e Shërbimeve të Kripto-Aseteve (OSHKA), dokument që synon të përcaktojë procedura të qarta për licencimin, monitorimin dhe ndërmarrjen e masave korrigjuese ndaj operatorëve të këtij sektori.

Ndërkohë, gjatë ditës së dytë u diskutua edhe vlerësimi i Ligjit për Kripto-Asetet, me fokus në identifikimin e mangësive në zbatimin e tij dhe mundësitë për përmirësim të mëtejshëm. Diskutimet u orientuan drejt harmonizimit të legjislacionit vendor me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë elemente të rregullores së Bashkimit Evropian për Tregjet e Kripto-Aseteve (MiCA).

BQK theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët institucionalë dhe ndërkombëtarë për të forcuar kornizën mbikëqyrëse dhe rregullative të sektorit financiar, duke synuar një kontroll më të fortë dhe transparencë më të madhe në tregun e kripto-aseteve në Kosovë.