“Çdo raketë e shkrepur nga Teherani është, në fund të ditës, një kosto direkte për familjet kosovare”
Shkruan: Ardi Rexhepi
Lindja e Mesme
Bota po e mban frymën nga mundësia e përhapjes dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Regjimi i Ajatollahëve, që ka vrarë qindra mijëra qytetarë të tij ndër vite, nuk po heziton të godasë dhe të shkatërrojë infrastrukturën jetike të vendeve të Gjirit, të cilat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të rezervave të gazit, naftës dhe energjisë në botë.
Çdo raketë që fluturon nga Teherani është një kosto shtesë dhe një stres për sistemet e mbrojtjes së SHBA-së dhe Izraelit. Një kosto e lirisë dhe demokracisë që do të ndihet në të gjitha vendet e botës. Edhe në skenarët më pozitivë, llogaritet se lufta në Lindjen e Mesme do ta fusë botën në recesion ekonomik. Pra, përveç rrezikut të përfshirjes së vendeve të tjera në luftë, çdo ditë që kalon i bën pasojat dhe kostot ekonomike gjithnjë e më të paparashikueshme.
Europa
Strategjia dhe vizioni mbi energjinë ishin temat qendrore të diskutimit të liderëve të BE-së në samitin e fundit mbi industrinë në Antwerpen. Europa sot po kërkon të adresojë çmimin e lartë të energjisë, i cili i ka bërë produktet e saj më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare dhe rrezikon ta lërë plotësisht jashtë lojës së ekonomisë globale.
Kancelari Merz ka lënë të kuptohet se zhvillimi ekonomik dhe industrial nuk mund të sakrifikohet në emër të politikave mjedisore, një shenjë kjo që Europa po mendon të rishikojë qasjen ndaj politikave mjedisore, të cilat konsiderohen si një ndër arsyet e çmimeve të larta të energjisë.
Ndërkohë që Europa po përpiqet të adresojë këtë krizë, konflikti në Lindjen e Mesme jo vetëm që i zbeh këto përpjekje, por e vendos kontinentin në një vështirësi të jashtëzakonshme, duke e lënë të ekspozuar. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit natyror ka tronditur tregjet europiane; Sllovenia u bë shteti i parë që filloi të racionojë furnizimin me naftë nga frika e mungesave në furnizim. Për Europën, ky konflikt merr peshë edhe më të madhe kur merren parasysh sanksionet ndaj gazit rus. E vetmja rrethanë lehtësuese për qytetarët është fakti që konflikti nuk po zhvillohet gjatë periudhës së dimrit.
Kosova
Më 1 prill, qytetarët e Kosovës do të kuptojnë se me çfarë përqindjeje do të rritet çmimi i energjisë. Kërkesa për rritje prej 21% i referohet vetëm vitit paraprak, pra nuk pasqyron ende valën goditëse të konfliktit aktual. Sot, importi zë rreth 20% të konsumit total në Kosovë, një treg që në masë të madhe është në mëshirën e tregtarëve të energjisë. Në shumë vende demokratike, këta tregtarë do të plotësonin kushtet për t’u kategorizuar si grupe të strukturuara mafioze, ndërkohë që tashmë edhe te ne ka dyshime të bazuara dhe hetime për manipulim të tregut.
Duke marrë parasysh zhvillimet në tregjet europiane, ekziston një mundësi shumë e lartë që tarifat e energjisë në Kosovë të rishqyrtohen përsëri në fillim të dimrit, çka nënkupton një rritje të dytë brenda vitit. Ndërkohë, Kosova vitet e fundit është mbërthyer nga debatet për “mafian energjetike” dhe grupet e interesit me lidhje të forta me pushtetin në Kosovë dhe rajon, grupe të cilat, siç shihet, kanë investuar ndër vite për të dështuar çdo projekt për ndërtimin e kapaciteteve të reja, duke e lënë sigurinë energjetike në duart e tregtarëve, adresat e të cilëve shpesh përfundojnë në Beograd. Këto shqetësime janë adresuar edhe nga Kongresi Amerikan përmes Aktit për “Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”.
Analizat parashohin çmime jashtëzakonisht të larta për vitin 2026, varësisht nga kohëzgjatja e konfliktit. Çmimet mund të jenë të barabarta ose më të larta se ato të fillimit të luftës në Ukrainë. Sipas raporteve të ZRRE-së, në atë kohë çmimi i importit arriti në 268 €/MWh. Nëse i referohemi të dhënave të vitit 2024, me një import prej 1,373,264 MWh, vetëm fatura e importit mund të arrijë rreth 370 milionë euro, një skenar i frikshëm për ekonominë dhe xhepin e qytetarëve.
Në mungesë të kapaciteteve të reja gjeneruese që do të duhej të ishin ndërtuar kohë më parë, qytetarët e Kosovës sot mbeten të varur nga stabiliteti në Lindjen e Mesme.
Çdo raketë e shkrepur nga Teherani është, në fund të ditës, një kosto direkte për familjet kosovare.









