Rritet tregtia Kosovë-Shqipëri – INSTAT: Në dy muaj eksportet arritën në 6.3 miliardë lekë

Eksportet

Shqipëria dhe Kosova kanë shtuar bashkëpunimin ekonomik gjatë viteve të fundit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet vetëm në dy muaj janë rritur me 1 miliard lekë krahasuar me fillimin e vitit 2025, duke shkuar në 6.3 miliardë. Po ashtu, rritje ka pasur edhe në mallrat që blehen nga Kosova duke arritur në 1.8 miliardë lekë. Por pavarësisht kësaj, në forumin e biznesit Shqipëri –Kosovë u theksua se ka ende hapësirë ku vendet mund të shtojnë marrëdhëniet ekonomike.

Drejtoresha e Agjencisë së Investimeve, LAURA Saro, tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të përballuar konkurrencën dhe sfidat globale.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se po punohet për të ulur edhe më tej burokracitë për bizneset midis dy vendeve.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave zyrtare, Kosova mban vendin e parë edhe në nivelin e investimeve të realizuara në vendin tonë.

Në periudhën janar-shtator 2025, Kosova vijon të pozicionohet e para për sa i përket investimeve, duke arritur vlerën 153 milionë euro. Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen kryesisht në shërbime dhe tregti, ku po zgjerohen në tregtinë me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe ndërtim, por edhe në industrinë përpunuese.