Armëpushimi në Lindjen e Mesme nuk sjell qetësi në tregun e naftës në Kosovë

Trendi i rritjes së çmimit të karburanteve në Kosovë është shënuar të enjten, në ditën e sa me radhë, qëkur është arritur armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit dhe kur çmimet e naftës në tregjet e botës kanë nisur të ulen ndjeshëm. Kosova mbetet ndër shtetet e rralla në botë, mbase e vetmja, ku nuk ndihen efektet e armëpushimit në Lindjen e Mesme.

Buletini Ekonomik

Sot (e enjte, 9 prill 2026) çmimet maksimale të lejuara për derivate të naftës në Kosovë janë më të shtrenjta se një ditë më parë dhe ditë të tjera të javës që po lëmë pas. Një litër e naftës (dizel), sot në tregjet e karburanteve në Kosovë (në pompat e benzinës) kushton 1,91 euro, një litër i benzinës-1,47 euro dhe një litër i gasit-0,82 euro.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, të mërkurën, që i bie një ditë më parë, çmimi i naftës ishte dy cent më lirë për litër, përkatësisht 1,89 euro, i benzinës ishte 1,46 euro për litër ndërkaq i gazit 0,77 euro për litër.

Ky trend i rritjes së çmimit të karburanteve në Kosovë është shënuar të enjten, në ditën e sa me radhë, qëkur çmimet e naftës në tregjet e botës kanë nisur të ulen ndjeshëm. Saktësisht, çmimet e naftës në shumë vende të globit kanë nisur të ulen që në ditën pas armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit. Por, Kosova mbetet ndër shtetet e rralla në botë, mbase e vetmja, ku nuk ndihen efektet e armëpushimit në Lindjen e Mesme, prej nga vendi jonë importon direkt, dhe më shumë indirekt, sasi të madhe të karburanteve.

Vazhdojnë pra te ne të ngriten çmimet e naftës përkundër shumicës së shteteteve të botës. Dhe me këtë ngritje çmimesh të karburanteve zhvlerësohet deklarimi i këtyre ditëve i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila “beson që stabilizimi i çmimit të naftës do të vazhdojë në ditët në vijim pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim dy javor mes SHBA-së dhe Iranit”.

E enjtja ishte dita në vijim dhe nuk u përbush besimi i ministres, që ç’është e vërteta, në këto javë të fillimit të ushtrimit të mandatit, po tregohet ndër të rrallët ministra të Qeverisë Kurti 3, goxha luftëtare dhe e zellshme në aktivitetet e saja ministrore. Megjithatë, ministrja Kusari-Lila do të bënte mirë po të tregonte ku janë shkaqet pse në Kosovë nuk ka ulje çmimi të naftës, dhe nga kush po frenohet ulja e çmimit përkundër tendencave në tregjet globale.

Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, përmes një statusi në Faebook të mërkurën, ka thënë se armëpushimi ka sjell pak qetësi në tregun e naftës, duke shtuar se “nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të bien gradualisht”. Berjani shtoi se çmimet e ulura në bursë pritet të “reflektohen” edhe në Kosovë. Por, jo menjëherë.

“Sot çmimi në bursë është duke u ulur dhe kjo pritet të reflektohet shumë shpejt edhe në Kosovë”, tha Berjani në një deklaratë për medie të mërkurën.

Edhe ai, si një nga autoritetet e tregtimit të naftës në Kosovë, duhet të shpjegojë për publikun, pse jo menjëherë dhe pse nuk ndodhë ulja e çmimeve të naftës edhe në Kosovë sipas trendeve të tregtimit aktual të naftës në tregjet e botës. Por, Berjani tha shkurt se: “S’mundemi me paragjyku se kur do të ulen çmimet te ne, sepse krejt varet prej bursës”.

Ndërkohë, është e ditur qartë se që nga dita e arritjes së armëpushimit në Lindjen e Mesme, në tregjet globale të naftës ka ndodhur ulja e çmimeve të karburanteve, madje ka ndodhur ulje e ndjeshme e çmimit edhe për naftën, edhe për benzinën e edhe për gazin.

Sidoqoftë, tani për tani në Kosovë në vend të uljes së çmimeve të karburanteve ka ngritje çmimesh dhe mbetet të shihet kur do të ndodhë ulja e tyre dhe a do të ndodhë fare. /Buletini Ekonomik/