Viti 2025 rezultoi ekonomikisht tejet i kushtueshëm për Kosovën. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, kostoja kryesore nuk buroi nga ndonjë krizë globale, por nga “ngërçi politik” i cili “rëndoi ndjeshëm mbi rritjen ekonomike”. Tri ditë para se të dihet përfundimisht nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, Kosova rrezikon ta gjejë veten në një tjetër ngërç, që mund t’i sjellë pasoja serioze ekonomisë.
Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, Kosova hyri në një periudhë dhjetëmujore të paralizës institucionale. Parlamenti dështoi të zgjedhë kryetarin e kuvendit për katër muaj radhazi, ndërsa dy tentativa për formimin e ekzekutivit rezultuan të pasuksesshme.
Pasojat rezultuan serioze: sipas FMN-së, rritja ekonomike u ngadalësua në vetëm 3.5 për qind gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2025, krahasuar me 4.75 për qind në periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Inflacioni u përshpejtua frikshëm, duke prekur nivelin 5.75 për qind në janar të vitit 2026 – norma më e lartë që nga viti 2023 – i ndikuar në masë të madhe nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse u thellua në 9.2% të Bruto Produktit Vendor (nga 8.4 për qind një vit më parë), e nxitur nga vëllimi i lartë i importeve të energjisë dhe ushqimeve.
“Me ngërçin politik dhe përqendrimin e theksuar tek zgjedhjet, përpjekjet për reforma u pezulluan. Mungesa e një parlamenti funksional përgjatë gjithë vitit 2025 paralizoi agjendën legjislative”, theksohet në raportin e FMN-së.
Fondi Monetar paralajmëroi se një tjetër ngërç politik, do të rikthente pasigurinë politike dhe do të frenonte rritjen ekonomike.”

Për sa i përket projeksioneve, FMN-ja vlerëson se rimëkëmbja e pritshme ekonomike e vitit 2026 – me rritje të projektuar prej 3.8% – mbështetet tërësisht mbi premisën e një “normalizimi politik”.
Në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin e ri deri më 28 prill 2026, legjislativi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh. Ky skenar do të shënonte ciklin e tretë të zgjedhjeve parlamentare brenda pak më shumë se katërmbëdhjetë muajsh.
Sipas FMN-së, kërcënimi kryesor i brendshëm për ekonominë kosovare mbetet pikërisht rreziku i “një ngërçi tjetër të zgjatur politik lidhur me zgjedhjen e presidentit”, rrezik i cili, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, ka kaluar nga rrafshi teorik në atë praktik.
Vetëvendosje, me 57 ulëse në Kuvend – katër më pak se shumica e thjeshtë prej 61 deputetësh – mbetet e vetmja parti që mund të propozojë vetë kandidatë presidencialë me 30 nënshkrime. Sipas partive opozitare, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka refuzuar ofertën për një kandidat konsensual gjatë takimeve për çështjen e presidentit, duke insistuar që presidenca t’i takojë partisë fituese.









