Çmimet enorme të larta të naftës, tani në fillimin e fushatës së mbjelljeve të pranverës kanë ç’ekuilibruar tërësisht ritmet e përgatitjeve të bujqëve për mbjelljet e stinës, kanë ndikuar në paraqitjet e dilemave serioze te fermerët për të vazhduar veprimtarinë e tyre ‘të rrezikuar’, apo të reduktojnë ndjeshëm sipërfaqet e planifikuara për mbjellje. Pse në Kosovë ende nuk është bërë e ditur ndonjë përkrahje konkrete për bujqit për të tejkaluar sfidat e pasuara nga çmimet enorme të naftës?
Buletini Ekonomik
Kriza e çmimeve të naftës ka goditur realisht shumë sektorë të ekonomisë edhe në Kosovë, por siç po shihet, më së shumti nga kjo krizë kanë pësuar bujqit dhe fermerët. Çmimet enorme të larta të naftës, tani në fillimin e fushatës së mbjelljeve të pranverës (mbjelljes së misrit dhe perimeve të të gjitha llojeve) kanë ç’ekuilibruar tërësisht ritmet e përgatitjeve të bujqëve për mbjelljet e stinës, kanë ndikuar në paraqitjet e dilemave serioze te fermerët për të vazhduar veprimtarinë e tyre ‘të rrezikuar’, apo të reduktojnë ndjeshëm sipërfaqet e planifikuara për mbjellje. Te bujqit më pesimistë kanë shtuar mëdyshjet për braktisjen totale të kultivimit të tokës. Kjo është gjendja e rënduar e fermerëve kosovarë, e krijuar pas ngritjes së çmimeve të naftës edhe në vendin tonë, si pasojë e luftërave në Lindjen e Mesme.
Ndërsa, shteti, konkretisht Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë, gjithë këtë gjendje ende vazhdon ta shikojë me indiferencë dhe indolencë të pakuptueshme, sikur kriza të ndodhte diku shumë larg Kosovës dhe sikur nuk e di se mbjelljet e pranverës për shumë kultura do të duhej tashmë të fillonin dhe për të tjera kultura janë në prag të nisjes.
Autoritetet e shtetit, Ministria e bujqësisë dhe ministri i agrarit kosovar vazhdojnë të heshtin, të mosdeklarohen as për ndihma konkrete për bujqit, as për vizione dhe për planet për t’i ndihmuar fermerët e vendit. Gjithandej, ndër shtete të botës dhe të shtetet fqinje, qëkur janë përfshirë nga kriza e ashpër dhe me pasoja të shumta për bujqësinë dhe fermerët e vetë, shpërfaqën publikisht gatishmëri konkrete për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të krizës, qoftë duke rimbursuar në përqindje të pranueshme çmimin e ngritur të naftës, qoftë duke mbështetur fermerët me ndihma të veçanta, me këtë rast, për blerjen e inputeve bujqësore me qëllim uljen e kostove të tyre dhe rritjen e prodhimit.
Në Shqipëri, ta zëmë, siç ka deklaruar zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri për medie, tashmë mbështetja për naftën, e cila është ndër inputet kryesore në prodhim, do të jepet përmes rimbursimit 10 për qind të faturave të shitjes.
“Mbështetja për naftën vazhdon të jetë një mbështetje në ndihmë të fermerëve. Në BE ekziston një instrument i kompensimit të faturave të inputeve i cili shkon nga 3 deri në 6 për qind. Ne e kemi duke filluar nga ky vit, kompensim të faturave të shitjes në nivelin 10 për qind. Pra, mbështetja për inputet, kryhet në radhë të parë në nivelin e kompensimit të autofaturave në niveli e 10 % dhe jo vetëm për naftën, por për të gjithë inputet. Ne kemi bërë një llogaritje nëse 10 %-shi del apo nuk del. Dhe kemi dalë në konkluzion se 10 %-shi shpërblen jo vetëm inputet që përdorin fermerët, por edhe skenarë të ndryshëm që ne kemi ndërtuar nëse të gjithë inputet që përdor fermeri rriten 10 %, 20%, 30 %, po 40 %. Pra në të gjitha rastet kjo masë që është 10% e faturave të shitjes kompenson dhe tejkalon rritjen e çmimeve pothuajse në gjysmën e tyre”, ka thënë Guri.
Përpos mbështetjes së inputeve, këtë vit do të ketë edhe mbështetje direkte për kultivimin, deri në 100 euro për hektar. Ai ka saktësuar më tej se “përtej kësaj, përsa i përket edhe bimëve të arave që janë ato që kanë edhe përdorimin më të madh të naftës si inpute prodhimi të tyre, skema ka integruar një masë të re që është masa e mbështetjes me 100 euro për hektar.” Pak a shumë ngjashëm, ose në shifra të përafërta financiare, kanë pasuar përkrahjet edhe në shtetet e tjera të rajonit.
Të përkujtojmë se këto ditë Qeveria e Shqipërisë ka miratuar Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë për vitin 2026, e cila sjell rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare dhe lehtësim të procedurave për përfituesit. Në podcastin “Flasim”, kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se skema është ndërtuar mbi konsultime të drejtpërdrejta me fermerët në të gjithë vendin dhe reflekton nevojat reale të sektorit. Një nga risitë kryesore është përfshirja për herë të parë e formave të reja mbështetjeje, si dhe nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, përmes metodave biologjike dhe afrimit me standardet europiane. Fokus i veçantë i skemës janë fermerët e rinj, për të cilët parashikohet një fond i dedikuar për të mbështetur investimet dhe për të rritur konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Ndërkohë, sado që njësoj rritja e çmimit të naftës në kulmin e mbjelljeve pranverore ka goditur edhe bujqit kosovarë dhe ka rritur ndjeshëm, thuaja papërballueshëm, koston e mbjelljeve pranverore në arat e tyre, në Kosovë ende nuk është bërë e ditur ndonjë përkrahje konkrete për të tejkaluar vështirësitë që janë paraqitur nga çmimet enorme të naftës. Shumë prej fermerëve kosovarë, por edhe njohësit e zhvillimeve në sektorin e bujqësisë në Kosovë, shpresojnë me bindje se edhe ata do të kenë përkrahjen e shtetit për pasojat e krijuara nga çmimet e larta të naftës. Dhe, për ta është e paqartë, pse po vonohen masat mbështetëse për naftën për agrarin kosovar.
“Bujku prej dikujt duhet të stimulohet, gjegjësisht të ndihmohet, të përkrahet në këto telashe që i kanë dalë. Dikush duhet ta përkrahë në kuadër të shtetit të vetë, qeverisë së vetë dhe t’i ndihmojë bujkut që mos të prodhojë me humbje, mos të ketë telashe të mëdha”, tha këto ditë në një intervistë për medie kryetari i Sindikatës së Bujqëve të Kosovës, Tahir Tahiri.
Ai tha se ndihma ad -hoc e qeverisë nuk është aspak e mirë, duke shtuar se pa naftë nuk ka prodhimtari bujqësore.
“Ndihma e qeverisë ad-hoc nuk është e mirë, por e mira kishte me qenë të ketë një ligj, dhe në rast nevoje të ndërhyrjeve të ketë qeveria mundësi t’i ndihmojë qoftë konsumatorët, qoftë, në këtë rast, bujqit. Sepse bujku sot tokën e punon me mekanizëm bujqësor dhe pa naftë nuk ka punë, nuk ka prodhimtari bujqësore. Mekanizimi bujqësor nuk funksionon pa naftë. Bujku, unë e kam një veturë, unë mund të mos e ndez veturën s’humb asgjë, por nëse traktoristi nuk e ndez traktorin ka humbje. Humb ai vetë por humbim edhe ne si shoqëri”, tha Tahiri në intervistën për EO.
Mbështetja e pritshme për fermerët e Kosovës për të zbutur vështirësitë e shkaktauara nga ngritja e çmimeve të naftës dhe për t’ua bërë të mundshme realizimin e planifikuar të mbjelljeve të pranverës, nuk duhet vonuar për asnjë çast. Secilit fermer të njëmendtë dhe të përkushtuar, i duhet bërë e ditur sa do të konpenzohet për naftë, sa për impute të tjera. Rimbursimi i bujqëve të Kosovës një orë e më parë do të ndihmonte ata për të përmbyllur më efektshëm dhe më më kohë mbjelljet në arat e tyre. /Buletini Ekonomik/









